Gjoka: Nuk na dalin llogarit, duhet vetëm të fitojmë ndaj Kamzës
Vllaznia do të luajë nesër një ndeshje shumë të rëndësishme në luftën për mbijetesë, pasi pret Kamzën. Trajneri shkodranëve, Ernest Gjoka e ka cilësuar si një sfidë shumë të vështirë ndaj një rivali direkt, por i bindur se skuadra e tij do të bëjë më të mirën për të marrën maksimumin.
“Është një sfidë e fortë dhe është fakt që çdo takim e kemi luajtur për mbijetesën. Kamza është një rival direkt, por ne duhet të jemi të qetë dhe të marrim rezultat pozitiv për të fituar oksigjen për tri ndeshjet fundit. Me barazimin nuk na dalin llogaritë, prandaj na duhet vetëm fitorja. Duhet të bëjmë gjithçka për gjithçka, aq më tepër në fushën tonë.
Uroj që t’i kemi tifozët, ata janë oksigjen për ne. Në Shkodër i kemi zhgënjyer, prandaj nuk kanë qenë të shumtë. Shpresoj të vijnë e të na mbështesin sepse na duhen në momentet më delikate të sfidës. Shpresoj t’ia dalim dhe Vllaznia të mos luajë më për mbijetesë. Asnjëherë nuk më është lëkundur besimi, edhe kur dimri ishte shumë i egër këtu në Shkodër. Besoj se do t’ia dalim, edhe pse e dimë që gara do të jetë e fortë deri në fund”, ka thënë Gjoka para ndeshjes.
KOHA JONË SONDAZH

