Gjoka: Po desh Zoti që rivalët të rrëshqasin, ne mbijetojmë!
Vllaznia do të luajë nesër ndaj Partizanit, teksa do të luajë shanset e fundit për të mbijetuar. Trajneri i shkodranëve, Ernest Gjoka kërkon të karikojë lojtarët e tij, pasi sipas tij shanset ekzistojnë.
“Jemi përpara një ndeshjeje shumë të rëndësishme, domethënëse për vazhdimësinë. Nëse arrijmë të shënojmë, gjërat do të shkojnë pozitivisht për ne. Po mendojmë vetëm për fitoren, asnjë rezultat tjetër. Nuk më intereson çfarë i kemi bërë Partizanit apo çfarë na kanë bërë të tjerët. Na bën punë vetëm fitorja. Partizani ka shumë lojtarë dhe të gjithë janë cilësorë, por kjo pak rëndësi ka për ne. Duhet të sakrifikojmë shumë, të vrapojmë shumë që të arrijmë fitoren. Të gjithë lojtarët janë gati për këtë sfidë, por ende nuk kemi vendosur kush do të jetë në fushë.
Gjendja psikologjike e lojtarëve nuk është më e mira e mundshme, pasi kemi pasur vetëm dy ditë kohë për ta përgatitur këtë takim. Por duhet që të dalim mbi veten dhe të japim maksimumin. Gjatë gjithë kohës jam përpjekur ta mbaj skuadrën me optimizëm dhe me moral të lartë. Duke parë situatën, në Shkodër ndoshta nuk besojnë, por e rëndësishme është që në fund t’ia dalim. Nuk mund t’i themi asnjë skuadre të luajë dhe të fitojë për ne. Po deshi Zoti që rivalët tanë të rrëshqasin dhe ne të bëjmë më të mirën, mund të qëndrojmë. Nëse marrim nesër një trepikësh, shpresojmë të jemi në objektivat tona.
Mendoj se Kamza është rivali ynë kryesor. Ngarkesa e madhe psikologjike është përtej optimizmit, por ata djem që kemi, që janë lokomotiva e skuadrës, do të dinë të bëjnë më të mirën dhe ta nxjerrin këtë skuadër nga ngërçi. Falje publike nëse bie Vllaznia? Nuk i bëj llogaritë me “nëse”, pasi pas tre muajsh mund të jem edhe 100 kile dhe nuk e di. Mendoj atë çfarë jemi tashti. Mendoj dhe luftoj për të siguruar mbijetesën, për këtë arsye kam ardhur që në fillim. Ne po luftojmë deri në fund”, tha trajneri Gjoka.
KOHA JONË SONDAZH

