Guardiola: Do na copëtonin dhe paragjykonin nëse humbim titullin
Pep Guardiola është shprehur se këtë fundjavë Manchester City nuk ka asnjë rrugë tjetër veç fitores në transfertën ndaj Brighton për të siguruar titullin kampion. Strategu i njohur spanjoll në deklaratën për shtyp para duelit të së dielës ka evidentuar se një dështim i mundshëm do të sillte një masakrim nga opinioni sportiv.
“E di se si është jeta dhe se si do të gjykohemi nëse do të humbasin garën për titullin në Premier League. Do të na copëtojnë dhe paragjykojnë. Ashtu sikurse ndodhi këtë javë në Champions League me humbësit. Nuk kemi alternativë tjetër veçse fitoren, për të evituar këtë masakrim dhe për të fituar titullin.
Do të shkojmë në Brighton për të fituar, duke menduar vetëm për veten tonë, ndeshjen tonë, pa menduar për asnjë situatë tjetër apo ndeshje tjetër. Kjo është situata dhe do të përpiqemi të bëjmë më të mirën për të arritur objektivin. Ose do të fitojmë ne dhe do të ngremë lart titullin, ose do të përgëzojmë Liverpool.
Nuk më besohet që jemi në krye të renditjes, sidomos kur kujton se në një moment të kampionatit ishim 7 pikë pas Liverpool. Ky nuk është momenti për të thënë nëse kemi bërë një sezon të mirë apo jo. Kemi mundësinë për të qenë sërish kampionë nëse fitojmë ndeshjen tonë dhe kjo është ajo që duhet të bëjmë”, deklaroi spanjolli.
KOHA JONË SONDAZH

