Hejkens: Me Realin s’ka favorit, gjyqtari nuk më shqetëson …

Trajneri i Bajernit e shikon situatën të ngjashme me vitin 2013, kur eliminuan Realin e Madridit. Strategu i njohur gjerman nuk sheh asnjë favorit në prag të ndeshjes së parë që do të luhet në “Allianz Arena”.

Gjyqtari: “Nuk shqetësohem. Gjatë gjithë karrierës sime si trajner jam sjellë me respekt ndaj gjyqtarëve. Në pjesën më të madhe kam pasur gjykim objektiv, mendoj se kështu do të ndodhë edhe nesër. Është një gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve dhe zakonisht janë gjyqtarët më të mirë. Pra, kam besim të plotë tek arbitri nesër. E njoh mirë Kuipers dhe dua të them se jam shumë i qetë.

Penalltia kundër Juventusit: “E pashë atë në televizor dhe kam formuar mendimin tim. Mund të jetë një vendim i gabuar, por nuk mund ta përballosh një ndeshje me ato mendime. Nuk do të mendoja për të shkuar në shtesë. Gjithçka është në duart tona, prandaj nuk shqetësohem për arbitrin. Vetë arbitrat, gjithashtu, dëshirojnë të tregojnë se e meritojnë të gjykojnë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndeshja dhe Ronaldo: “Siç kam thënë edhe më parë, është një gjysmëfinale e Championsit, ku marrin pjesë katër skuadrat më të mira. Respektoj çdo ekip dhe çdo lojtar, prandaj edhe Kristiano Ronaldon. Deri më tani ai ka pasur një karrierë unike. Por, Liga e Kampionëve fitohet nga skuadra që është më homogjene dhe luan futboll optimal. Nuk duhet të harrojmë se edhe ne kemi një lojtar si Levandovski, i cili ka shënuar 39 gola zyrtarë në këtë sezon.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ronaldo apo Levandovski: “Kjo është një pyetje që nuk ka vëmendjen e asnjërës skuadër, besoj. Kjo mund t’ju intrigojë juve, gazetarëve, por nuk është çështje e rëndësishme për të dyja klubet. Bajerni është shumë i kënaqur me Levandovskin. Ka shënuar një numër të madh golash, është një lojtar shumë pozitiv, i cili bën gjithçka për futbollin dhe qëndron në formë.

Zidane: “Jam përballur me shokët e mi si Arrigo Saki, Marçelo Lipi. Kam pasur përballë thuajse të gjithë trajnerët e mëdhenj. Më duhet të them se jam një tifoz i madh i “Zizou”, fillimisht si lojtar dhe tani si trajner. Rezultatet dhe puna tregojnë se Zidane është një trajner model. Kanë qenë gjithmonë duele të mëdha mes Bajern dhe Real Madrid. Unë jam një person i qetë dhe i matur, ndaj duhet të them se e pranoj ndeshjen ashtu siç është, pa emocione të mëdha. Gëzimi dhe emocionet do të shihen gjatë lojës. Në të dyja skuadrat ka lojtarë të klasit botëror, të dyja palët luajnë futboll tërheqës. Do të jetë një ndeshje e hapur, për mua nuk ka favorit”.

James: “Kur kam ardhur te Bajerni më 7 tetor, James ishte në depresion, nuk ishte në gjendje të mirë, nuk ndihej mirë. Kam biseduar shumë me të dhe gradualisht. Ka fituar besim tashmë dhe është integruar si duhet. Natyrisht, ndjehet më i lirë në fushën e lojës. Më duhet të them se tifozët tanë janë të hipnotizuar, kur shohin si po luan James. Ai ka pasur një evolucion të madh, ka fantazi dhe vizion”.

Pa Vidal: “Skuadrat që kanë arritur në gjysmëfinale mund të bëjnë edhe me ndonjë mungesë. Fatkeqësisht, ne na u dëmtua Vidal. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm dhe mbetet i tillë. Por, skuadrat e mëdha mund t’i kompensojnë këto lloj mungesash.

Stili: “Stili im i lidershipit nuk ka ndryshuar, natyrisht që futbolli ka evoluar, por futbollistët janë ende njerëz, qenie njerëzore. Natyrisht, janë njerëz me karaktere të ndryshme, me ndjesi të ndryshme. Kam përvojë të madhe, kompetencë, ndaj di si t’i udhëheq njerëzit. E konsideroj veten një udhëheqës njerëzish, sepse lojtarët e një skuadre, pavarësisht nëse janë në numër 23, kanë nevojë për dashuri, lavdërim, udhëheqje, ashtu si superstari. Unë jam shumë optimist, edhe pse do të kemi përballë një kundërshtar me shumë përvojë ndërkombëtare. Por, besimi mund të lëvizë edhe malet”.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?