Hoxha: Bukur të fitosh titullin në derbi, nuk duam që Tirana të bjerë
Kapiteni i Partizanit, Alban Hoxha, është shfaqur përkrah trajnerit Skënder Gega në konferencën për shtyp para derbit Partizani-Tirana, ku ka folur për mundësinë që skuadra e tij të fitojë titullin kampion dhe për rivalitetin me bardheblutë. Ai ka theksuar se shpreson që të mos bëhen shkak që rivalët të zbresin një kategori më poshtë.
“S’ka gjë më të bukur se të fitojmë titullin në derbi. Kaq shumë vite pritje, një sezon i gjatë, lodhje, stres, tani erdhi momenti i madh, ku mund të fitojmë trofeun. Megjithatë, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, nuk ka mbaruar. Çdo derbi është i veçantë, kam kaq vite te Partizani, kemi qenë afër titullit edhe më parë, por këtë radhë është ndryshe. Është derbi i veçantë sepse fitorja na shpall kampionë, kaq qenë një pritje shumë e gjatë. Në 6 vitet e mia, ky do jetë derbi më i bukur.
Tirana në Kategorinë e Parë? Janë përralla gazetash, nuk e mendojmë fare dhe nuk duam që Tirana të bjerë. Për ne dhe për mua Tirana është mirë të qëndrojë në Superligë, ashtu si duhet të kthehet edhe Dinamo, për shembull. Derbi mbush stadiumin dhe ndez interesimin e medias, ndërkohë që edhe lojtarët vitrinë perfekte për të ardhmen kanë derbin. Nuk dua të bëj shoë këtu, mendimi im është që Tirana është mirë të mos bjerë.
Tifozët? U premtoj thjesht që do japim maksimumin për të fituar dhe festuar së bashku, i presim në stadium. Ne duam titullin, për të gëzuar tifozët, pastaj si do vijë titulli nuk ka shumë rëndësi.
Morali? Duam të qëndrojmë me këmbë në tokë, jemi shumë të qetë dhe nuk fluturojmë. 10 pikë larg Kukësit na e japin këtë qetësi dhe do luajmë thjesht.
Renditja? Kemi pasur rivalë Kukësin dhe Teutën për një kohë të gjatë, por ne ruajtëm vazhdimësi dhe kemi bërë më pak gabime. Ka pasur goxha rivalitet, por ne rezistuam më gjatë.
Paragjykimet? Nuk kemi pasur kurrë probleme të tilla, akuza për fitore me arbitra apo paragjykime. Është diçka e mirë, na ka dhënë qetësi dhe nuk merremi me asnjë akuzë, as me arbitrat nuk jemi marrë dhe nuk na ka ngacmuar askush”, deklaroi Hoxha.
KOHA JONË SONDAZH

