Inter-Juventus, statistikat dhe formacionet e mundshme të Derbit të Italisë
Seria A ka hyrë në fazën më të nxehtë të sezonit. Nesër në mbrëmje do të luhet Derbi i Italisë, ndërmjet Interit dhe Juventusit, një duel që thelb ka rivalitetin, që jo vetëm ka shkruar historinë e këtyre dy klubeve të mëdha, por dhe atë të kampionatit. Kjo përballje klasike mes këtyre dy ekipeve ka një statistikë prej 169 përballjesh zyrtare në historinë e Serisë A, nga të cilat 84 janë luajtur pikërisht në shtëpinë e zikaltërve. Bardhezinjtë janë të avantazhuar duke numëruar një total prej 80 fitoresh kundër 46 sukseseve të zikaltërve, ndërsa barazimi mes tyre është shënuar për plot 43 herë.
Sa i përket ndeshjeve të luajtura në “San Siro”, zikaltërit kanë një avantazh me një total prej 35 fitoresh ndaj 22 sukseseve të bardhezinjve, ndërkohë që 22 ndeshje janë mbyllur në barazim. Interi ia ka dalë të mundë vetëm një herë Juventusin gjatë 10 sfidave të fundit që janë shënuar mes tyre në Serinë A. 5 fitore në këto 10 sfida të fundit për skuadrën e Alegrit, por Juventusi ka humbur në dy transfertat e fundit në “San Siro” përballë Interit, përkatësisht në Kupën e Italisë me një rezultat 3-0, dhe 2-1 në kampionat. Krahas statistikave e rëndësishme është edhe forma me të cilën vijnë në këtë duel Inter dhe Juventus, me të dyja skuadrat që paraqiten në gjendje të ndryshme.
Zikaltërit kanë grumbulluar 8 pikë gjatë 4 garave të fundit të Serisë A, pikë që janë arritur falë fitoreve ndaj rivalëve të Kaljarit dhe Kievos dhe barazimeve ndaj Milanit dhe Atalantas. Nga ana tjetër qëndron një Juventus që ka arritur 7 pikë në katër ndeshjet e fundit. Ikardi dhe pjesa tjetër e formacionit zikaltër kanë shënuar 56 gola dhe kanë pësuar 23, ndërsa kampionët në fuqi të Italisë numërojnë 78 gola të shënuar dhe vetëm 20 të pësuar.
Formacionet- Interi pritet që të luajë me skemën e saj tradicionale, 4-2-3-1, teksa nga minuta e parë spikat rikthimi nga dëmtimi i Vesinos. Në portë do të luajë si gjithmonë Handanoviç, Miranda dhe Shkriniar formojnë dyshen e qendrës, ndërkohë që D’Ambrosio dhe Kaselo do të luajnë në krahë. Në mesfushë ka hapësirë për Vesinon dhe Brozoviç, ndërkohë që Perisiç, Kandreva dhe Rafinja d të mbështesin Ikardi e vetëm në sulm. Në krahun tjetër Alegri do të ndryshojë skemë, duke kaluar në vendosjen 4-2-3-1. Bufon do të jetë në portë, në mbrojtje pritet që të luajë në qendër Barzajli dhe Benatia, ndërkohë që në krahë pritet që të luajnë Houedes dhe Aleks Sandro. Në mesfushë Kedira dhe Pjaniç formojnë dyshen para mbrojtjes, ndërkohë që Alegri pritet të guxojë me Kuadradon, Dibalën dhe Mandzukiç pas krahëve të Higuain.

KOHA JONË SONDAZH

