Inter-Juventus, surpriza në formacionet zyrtare të Derbit të Italisë
Inter-Juventus do të luajnë pas pak minutash super ndeshjen e javës së 35-të. Derbi i Italisë do të jetë vendimtare për fatin e sezonit të të dyja ekipeve. Për zikaltërit është e rëndësishme për të qëndruar ende në garë për një vend në zonën europiane, ndërkohë që për bardhezinjtë vlen për titullin kampion.
Interi do të luajë me skemën e saj tradicionale, 4-2-3-1, teksa nga minuta e parë spikat rikthimi nga dëmtimi i Vesinos. Në portë do të luajë si gjithmonë Handanoviç, Miranda dhe Shkriniar formojnë dyshen e qendrës, ndërkohë që D’Ambrosio dhe Kaselo do të luajnë në krahë. Në mesfushë ka hapësirë për Vesinon dhe Brozoviç, ndërkohë që Perisiç, Kandreva dhe Rafinja do të mbështesin Ikardi e vetëm në sulm. Juventusi ndërkohë do të luajë me skemën 4-3-3, teksa Kuadrado është postuar në mbrojtje, ndërkohë që Dibala do ta nisë ndeshjen nga stoli.
Kjo përballje klasike mes këtyre dy ekipeve ka një statistikë prej 169 përballjesh zyrtare në historinë e Serisë A, nga të cilat 84 janë luajtur pikërisht në shtëpinë e zikaltërve. Bardhezinjtë janë të avantazhuar duke numëruar një total prej 80 fitoresh kundër 46 sukseseve të milanezve, ndërsa barazimi mes tyre është shënuar për plot 43 herë. Sa i përket ndeshjeve të luajtura në “San Siro”, zikaltërit kanë një avantazh me një total prej 35 fitoresh ndaj 22 sukseseve të “Zonjës së Vjetër”, ndërkohë që 22 ndeshje janë mbyllur në barazim.
Interi ia ka dalë të mundë vetëm një herë Juventusin gjatë 10 sfidave të fundit që janë shënuar mes tyre në Serinë A. 5 fitore në këto 10 sfida të fundit për skuadrën e Alegrit, por Juventusi ka humbur në dy transfertat e fundit në “San Siro” përballë Interit, përkatësisht në Kupën e Italisë me një rezultat 3-0, dhe 2-1 në kampionat. Krahas statistikave e rëndësishme është edhe forma me të cilën vijnë në këtë duel Inter dhe Juventus, me të dyja skuadrat që paraqiten në gjendje të ndryshme.


KOHA JONË SONDAZH

