Interi transferon zyrtarisht De Vrij, por s’ka para për Rafinjën dhe Kanselon

Merkatoja e këtij sezoni për Interin do të varet shumë nga kualifikimi në Champions League ose jo, por zikaltërit kanë filluar që t’i lëvizin kartat që tani. Sipas Gazzetta Dello Sport, Stefan de Vrij tashmë mund të konsiderohet zyrtarisht një futbollist i Interit duke filluar që nga sezoni i ardhshëm. Sipas gazetës më të madhe sportive në Itali zikaltrit kanë depozituar në ligën italiane të futbollit kontratën e mbrojtësit holandez. 26-vjeçari ka hedhur firmën dhe do të jetë i lidhur me Interin për 5 vitet e ardhshme me një kontratë  nga e cila do të përfitojë 4,2 milionë euro në sezon.

Tashmë pritet vetëm zyrtarizimi nga ana e Interit që gjithsesi nuk pritet të vijë përpara datës 20 maj kur do të jetë edhe dita që zikaltrit do të sfidojnë Lazion në Romë në një sfidë që sipas të gjitha gjasave do të vendosë se cila mes këtyre dy skuadrave do të luajë në grupet e Champions League sezonin e ardhshëm. De Vrij transferohet kështu te Interi me parametër zero pasi në fund të këtij sezoni i përfundon kontrata aktuale me Lazion.

Një goditje shumë e rëndësishme kjo për prapavijën zikaltër duke patur parasysh cilësitë që zotëron mbrojtësi holandez i cili kërkohej edhe nga Barcelona e Mançester Siti, por në fund zgjodhi Interin duke qëndruar në Serie A për të vijuar rritjen si futbollist.

Swiss Digital Desktop Reklama

Klubi milanez merr pa shpenzuar asnjë qindarkë një futbollist që në merkato 40 milionë euro dhe që në këtë sezon ka shkëlqyer me fanellën e Lacios duke bërë edhe rolin e goladorit edhe pse është vetëm një qendërmbrojtës, me De Vrij që mes kampionatit dhe Europa Leagues ka arritur të realizojë 7 gola. Nga një holandez te një portugez, puna e shkëlqyer që po bën Piero Ausilio me Interin do të marrë një vlerë akoma edhe më të madhe nëse drejtori sportiv do të arrijë të blejë përfundimisht kartonin e Joao Kancelos nga Valencia. Los Che nuk kanë ndërmend të bëjnë skonto dhe ia kanë bërë të qartë Interit se nëse nuk paguan 35 milionë eurot që parashikohen në kontratë brenda 31-majit, Joao Kanselo do të rikthehet në Mestaja.

Swiss Digital Mobile Reklama

Një operacion shumë i vështirë ky për Interin në optikën e fair-play-it financiar që penalizon shumë klubin italian. Interi do t’i kërkojë Valencias ta bëjë pagesën për Kanselon në muajin korrik për ta shtuar atë në bilancin e vitit të ardhshëm pasi deri në 30 qershor zikaltrit duhet të rikuperojnë 40 milionë euro, diçka e vështirë për t’u pranuar nga spanjollët të cilët kanë në tavolinë disa oferta që i kalojnë 50 milionë eurot për mbrojtësin e djathtë portugez. Pa Champions do të bëhet i komplikuar edhe blerja e kartonit të Rafinjës nga Barcelonës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?