Inzaghi prezantohet te Interi: Mbrojtja e titullit synimi kryesor, do ndërtoj një ekip që argëton tifozët!
Simone Inzaghi nga sot ka nisur punën krye të Interit. Strategu i njohur ka bërë prezantimin zyrtar në një konferencë për shtyp së bashku me administratorinGiuseppe Marotta. Inzaghi e pranoi se objektivi kryesor i Interit në sezonin e ri do të jetë mbrojtja e titullit kampion ndërkohë që edhe në Champions do të synohet minimalisht kalimi i fazës së grupeve.
“Jam shumë entuziast për këtë sfidë të re në karrierën time. Jam maksimalisht i motivuar. E di që më pret një punë e vështirë por njëkohësisht edhe një sfidë shumë e bukur. Drejtuesit më bindën menjëherë për të pranuar ofertën e Interit pasi në pak ditë treguan një dëshirë të madhe për të më patur. Duhet të mbrojmë titullin kampion dhe nuk do të jetë e lehtë pasi janë shumë skuadra që do të luftojnë për të na zbritur nga froni.
Dua të komplimentoj klubin dhe trajnerin Conte që arritën të fitonin një kampionat që Interit i mungonte prej shumë vitesh. Merkato? Ka ende shumë kohë për merkaton dhe ju siguroj se do të ketë lëvizje. E dija që Hakimi do të largohet por drejtuesit më kanë premtuar se skuadra do të mbetet kompetitive ashtu si sezonin e shkuar. Objektivi kryesor do të jetë mbrojtja e titullit por edhe në Champions duam të bëjmë mirë pasi Interi ka 10 vite që nuk kalon grupin.
Duhet t’i jap vazhdimësi punës së nisur nga Conte me shpresën për të arritur objektivat që na ka vendosur klubi. Lukaku? Kam folur me të disa herë. Është i mërzitur ende për eliminimin e Belgjikës nga Euro 2020. Romelu është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, është një garanci, ashtu si Bastoni, Barella apo Lautaro të cilëve u uroj të fitojnë finalet respektive në Europian dhe Copa America. Me Eriksen kam biseduar para Europianit, më pas nuk kam folur.
Klubi i ka vendosur në dispozicion të gjithë kohën që dëshiron për të pushuar pas asaj që i ndodhi, unë më pas do ta pres krahëhapur. Pas asaj që ndodhi me Christian, klubi përfitoi nga rasti dhe firmosi me Calhanoglu një lojtar me karakteristika deri diku të ngjashme që më pëlqen shumë. Ashtu siç kam bërë te Lazio edhe te Interi dua të kem një skuadër që shënon shumë gola dhe argëton tifozët, të cilët shpresoj t’i kemi sa më të shumtë në numër në shkallët e stadiumit”, deklaroi Inzaghi.
KOHA JONË SONDAZH

