Jashica: Në Shkodër kisha frikë mos dëmtohesha, shpresoj të luaj në një ekip të madh!
Bajram Jashanica e quan veten një futbollist pa fat. Mbrojtësi i Skënderbeut në një intervistë për “FanZone” theksoi se futbolli u ndal kur ai pak nga pak po arrinte formën e tij më të mirë. Jashanica kujtoi edhe periudhën e vështirë, kur ishte i skualifikuar për të mos zbritur në fushat e futbollit për 2 vite.
“Është një situatë shumë e vështirë. Mund të them se është më e vështirë se periudha që kalova, pasi atëherë të paktën stërvitesha. Jam i pafat për shkak se pas vetëm 3 ndeshjeve të luajtura u pezullua. Kthimi nga ai moment i keq, ishte diçka shumë e veçantë për mua. Dy vite kam sakrifikuar dhe me karakterin e fortë që kam ia dola. Kam qenë i sigurt se do të rikthehem dhe do të jem më i fortë.
Edhe në ekip mezi kanë pritur që të rikthehesha. Dëshira ime është që shumë shpejt të arrij kombëtaren. Në ndeshjen e parë në Shkodër kisha edhe frikë, pasi nuk e dija se ku do të isha pas asaj mungese të gjatë. Shpresojë që kjo pandemi të kalojë sa më shpejt dhe t’i rikthehemi normalitetit.
Unë bëja stërvitje gjithë javën dhe kur vinte dita e ndeshjes, unë e shikoja nga tribuna dhe ka qenë e vështirë shumë. Shokët e ekipit më ngacmonin duke më thënë se isha me kartonë që nuk luaja. Shpresoj që të mos i ndodhë askujt si mua.
E ardhmja? Dëshira ime gjithmonë ka qenë që nga Skënderbeu të kaloja në një klub më të madh. Jam ende i ri dhe do të tentoj përsëri një ekip më të madh se Skënderbeu.”, u shpreh Jashanica.
KOHA JONË SONDAZH

