Java e 33-të e Superligës, sfida vendimtare për Europën dhe mbijetesën

Kategoria Superiore nuk ndalet, teksa nesër do të luhen të gjitha ndeshjet e javës së 33-të, ku spikasin disa ndeshje që mund të vendosin shumë për zonën europiane dhe mbijetesën.  Skënderbeu luan ndaj Lushnjës për të mbyllur matematikisht çështjen titull pas dy humbjeve radhazi ndaj Kukësit dhe Laçit.  Një fitore e korçarëve, e kombinuar me barazimin ose humbjen e Kukësit në fushën e Teutës do të mbyllte çdo diskutim. Në anën tjetër, nëse Skënderbeu fiton, ashtu si edhe Kukësi, skuadra e Dajës mund të festonte në javën e 34-t, edhe vetëm me një barazim ndaj Teutës. Lushnja ka treguar javë pas jave se kërkon t’i luajë dhe t’i shijojë minutat e fundit të mbetura në elitë. Këtë e provoi Partizani, që u frenua në barazim 1-1, por edhe Kukësi që fundjavën e kaluar fitoi 2-1 me vështirësi dhe mes polemikave për vendimet e arbitrave.

Luftëtari-Partizani është dueli që mund të vendos shumë për fatin e të dyja skuadrave në objektivin për të arritur në zonën e Europa League. Për gjirokastritët sidomos një fitore pothuajse do të zyrtarizonte pjesëmarrjen e tyre në kompeticionet europiane verën e ardhshme. Partizani me një sukses jo vetëm që nuk do të mbetej jashtë garës për vendin e 3-të, por të paktën mund të hidhte një hap të rëndësishëm për vendin e katërt. Sfidat e 3 fazave të para kanë treguar se Luftëtari dhe Partizani kanë qenë të fortë në ndeshjet shtëpiake, madje humbja 5-0 e fazës së dytë djeg ende te të kuqtë. Situata te kryeqytetasit nuk është ndër më të mirat, sidomos pas humbjes me Teutën në shtëpi, por një sukses në Gjirokastër mund të shpëtonte sezonin e të kuqve.

Teuta ka një tjetër finale këtë mesjave, ku do të përballet me Kukësin në stadiumin “Niko Dovana”. Durrsakët vijnë pas një suksesi mjaft të rëndësishëm në transfertë ndaj Partizanit dhe morali i skuadrës është ai i duhuri në prag të takimit kundër ekipit të Pacult. Bregdetarët nuk fitojnë përballë kuksianëve në kampionat që nga 23 nëntori i vitit 2015, megjithatë, situata kësaj here është e ndryshme pasi motivimi i Teutës, të paktën në parim, duhet të jetë shumë më i madh sesa ai i bluve, që tashmë e kanë siguruar vendin e dytë. Begeja vjen me një mungesë të vetme që është ajo e Beqes. Mbrojtësi ka plotësuar numrin e kartonëve.  Në anën tjetër vjen me skuadër të plotë trajneri Peter Pakult. Kapiteni Ylli Shameti është rikuperuar nga dëmtimi, teksa janë rikthyer nga pezullimi dhe Albi Alla e Kale.

Swiss Digital Desktop Reklama

Vllaznia-Kamza është si një finale e vërtet për mbijetesën. Kuqeblutë kanë nevojë për një fitore për të shpresuar edhe më shumë për mbijetesën.  Kamza, e cila në dy fazat e para luftonte për Europën, papritur e gjeti veten në garën e mbijetesës dhe tashmë është e detyruar të mos humbasë në “Loro Boriçi”, ndërsa një fitore pothuajse do t’i siguronte mbijetesën. Për të dyja skuadrat kjo është një ndeshje që duhet fituar dhe lajmi i mirë për Gjokën është rikthimi i Sukajt, ndërsa shqetëson disi forma e Orelesit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Flamurtari-Laçi ndërkohë nuk do të luhet në Vlorë, por në “Elbasan Arena” pas dënimit nga Komisioni i Disiplinës është vendosur që të luhet në këtë stadium. Ndeshja do të startojë në orën 16:00 dhe jo 19:00 siç ishte parashikuar, dhe do të jetë një duel që do të vendosë shumë sa i përket shansit të fundit për të arritur në zonën europiane, me kurbinasit që duken të avantazhuar.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?