Juventus fiton por nuk bind, Dybala vendimtar nga pankina në ditën “jo” të Ronaldos
Humbja ndaj Atletico Madrid në Champions League ka lënë gjurmë te Juventusin. Bardhezinjtë arritën që të reagonin menjëherë, duke arritur një fitore minimale kundër Bolognas në një ndeshje ku zhvilluan një lojë të dobët. Një skuadër e ngadaltë, me një Ronaldo që në një ditë të vështirë, por për të çuar tre pikë në Torino mendoi Paulo Dybala, i cili forcoi akoma edhe më shumë pozitat e bardhezinjve në krye me 13 pikë më shumë se Napoli.
Juventus po përjeton një lloj ngërçi në aspektin psikologjik por edhe atë të lojës. Dëmtimet sigurisht që kanë patur ndikim për Allegrin dhe pjesën tjetër të skuadrës, por infermieria e mbushur nuk është problemi i vetëm që ka zonja e vjetër. Nisi me eliminim nga Kupa e Italisë dhe janë sërish me njërën këmbë jashtë Championsit edhe pse fjala e fundit ende nuk është thënë. Në Itali, Juventus nuk ka rivalë, ky është një fakt që tashmë është konfirmuar prej vitesh, por në reparte të ndryshme, kampionët në fuqi vuajnë.
Në mesfushë situata shfaqet problematike. Khedira dhe Emre Can nuk janë plotësisht të gatshëm dhe Allegri ka në dispozicion vetëm 3 mesfushorë, Pjanic, Bentancur dhe Matuidi, të cilët jo gjithmonë mund të përballojnë ritmin e lojës për 90 minuta, duke patur parasysh faktin që të tre kanë qenë gjithmonë titullarë kohët e fundit dhe lodhja fizike ndihet. Pritshmëritë ishin të mëdha nga njeriu Champions, Ronaldo, por ky i fundit nuk arriti që të tregonte vlerat e tij. Me Mandzukic në vështirësi, Dybala është shpëtimtari në kampionat, por në Champions as “La Joya” nuk arriti që të tregonte vlerat e tij.
Massimiliano Allegri duhet t’i japë zgjidhje një sërë problematikave që po shfaq Juventusi, në një sezon ku përpara se të niste pretendimet ishin të mëdha, ndërkohë maksimumi që mund të marrin nga ky vit duket se do të jetë vetëm kampionati. Deri më 12 mars ka ende kohë që strategu italian të rikthejë në formën e duhur skuadrën bardhezi.
KOHA JONË SONDAZH

