Juventusi i ri i Ronaldos që kërkon të mbretërojë në Europë

Leonardo Bonucci është afrimi i fundit i Juventusit, për të kompletuar një skuadër që synon të ngjitet në majën e Europës. Me ardhjen e mbrojtësit italian, trajneri Massimiliano Allegri ka komoditetin për t’u mbështetur në një mbrojtje të lakmueshme e të kombinuar, me përfshirjen e Joao Cancelo në korsinë e djathtë, të Emre Can në qendër të mesfushës dhe Cristiano Ronaldos në sulm. Që këtu mjafton të thuash se presidenti Andrea Agnelli ka ndërtuar tashmë një ekip me të vërtetë të madh dhe të aftë për të synuar të gjithë trofetë e mundshëm të sezonit. Kuptohet, jo vetëm brenda Italisë, sepse atje e ka vendosur “diktaturën” prej disa vitesh. Synimi madhor është Champions-i, sidomos me ardhjen e Cristiano Ronaldos.

221 milionë euro të shpenzuara gjatë kësaj vere ndezin ëndrrat e tifozëve bardhezi. Nuk vihet në diskutim kampionati i tetë radhazi në Seria A, Kupa e Italisë, por lakmohet Liga e Kampionëve; një titull që mungon prej 22 vitesh. Rikthimi i Bonuccit nuk është një transferim i thjeshtë. Është një operacion, që nxjerr në pah projektin e madh që është ngritur në Torino. Te Juventusi mendojnë për të tashmen, për një performancë të menjëhershme, prandaj bënë shumë përpjekje për kthimin e mbrojtësit italian. Sepse, ardhja e tij nuk ka qenë e lirë. Higuain, deri dje transferimi më i shtrenjtë bardhezi, e ka humbur vlerën me ardhjen e CR7. Argjentinasi, një nga golashënuesit më të lartë, që prej mbërritjes së tij te Napoli, në vitin 2016, ka shkuar te Milani.

Bashkë me “Pipita” e ka lënë “Zonjën e Vjetër” edhe Mattia Caldara, mbrojtësi qendror 24-vjeçar, mjaft premtues. Demonstrimi i lëvizjeve të rëndësishme të kësaj merkatoje në Torino nuk do shumë mend të kuptohet, nëse fokusohesh te largimi i një lojtari të ri dhe rikthimi i një tjetri me përvojë. Të dyja largimet tregojnë qartë synimet e Juventusit: për të pasur rezultate të shpejta e të menjëhershme, duan të lënë pas atë që ndodhi sezonin e kaluar. Titulli kampion në Itali nuk është më një synim madhor, pasi bardhezinjtë janë mësuar që ta fitojnë gati çdo vit. Këtë sezon duan një ekip, që mbretëron në Europë, jo vetëm në Itali.

Swiss Digital Desktop Reklama

Blerjet e Juventusit këtë vere:

Swiss Digital Mobile Reklama
  1. Cristiano Ronaldo

Pa dyshim, guri themeltar, mbi të cilin rrotullohet i gjithë projekti i Juventusit. Ylli portugez do të jetë lojtari, në funksion të të cilit do të kthehet ekipi bardhezi. Golat dhe lidershipi i tij, sidomos në Champions, janë arma më e madhe e këtij Juventusi të ri.

  1. Joao Cancelo

Bashkatdhetari i CR7 do të jetë mbrojtësi i ri i djathtë. Përvoja e tij tek Interi sezonin e kaluar, pasi u huazua nga Valencia, e ka pajisur lojtarin me cilësi dhe siguri më të madhe mbrojtëse. Një aspekt për të cilin ai është kritikuar gjithmonë. Blerja e re në të djathtë të prapavijës do ta pajisë ekipin e Allegrit me thellësi dhe rrezik të vazhdueshëm në atë krahë.

  1. Douglas Costa

Anësori brazilian ka qenë i huazuar në Torino sezonin e kaluar, por tashmë është blerë përfundimisht nga bardhezinjtë. Me rol natyral në të majtë, ai u mbërthye në krahun e djathtë të formacionit juventin dhe me diagonalet e shpejta shqetësoi jo pak herë mbrojtjet kundërshtare. Sezonin e kaluar ishte vendimtar për fitimin e titullit, ndaj Juve nuk ka hezituar të paguajë 40 milionë për ta blerë nga gjigantët bavarezë.

  1. Mattia Perin

Ai ka ardhur si zëvendësim për portierin Szczesny, edhe pse polaku duhet ta tregojë me punë se e meriton të jetë titullar. Me 25 vite mbi supe, Perin është një nga portierët më të qëndrueshëm të Seria A dhe i jep thellësi një pozicioni të dobësuar pas largimit të legjendës italiane, Gianluigi Buffon. Ai është një portier me shumë cilësi, dhe është i gatshëm për t’i rrëmbyer dhe vendin e titullarit polakut.

  1. Emre Can

Mesfushori gjerman do të ofrojë fizik dhe talent në mesfushën e Juventusit. Një lojtar që do të lehtësojë nga pesha e këtij reparti, në qendër të fushës, Pjanic dhe Matuidi. 24 vjeç, ai është një lojtar i afirmuar në elitën e futbollit europian, teksa ka mbërritur me kosto zero në Torino, pas një sezoni të shkëlqyer me Liverpoolin, e mbyllur me një dëmtim,

  1. Leonardo Bonucci

Blerja e fundit, , por jo më pak i rëndësishmi. Një lojtar që e njeh shtëpinë bardhezi dhe që formoi në të kaluarën, bashkë me Chiellinin, formojnë një nga mbrojtjet më të mira të Europës. Ai do të ofrojë përvojë të madhe në repartin mbrojtës dhe padyshim edhe cilësi në ndërtimin e aksioneve sulmuese.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?