Teuta ka sulmin e tretë më të mirë të Superiores, por garon për mbijetesë
Teuta është një nga “paradokset” më të mëdha në këtë sezon, pasi djemtë e detit po rrezikojnë mbijetesën ndërkohë që janë skuadra me sulmin e 3-të më të mirë të kampionatit. Ardhja e Gentjan Begejës në stolin e Teutës ka sjellë një ndryshim rrënjësor pasi është përforcuar shumë mbrojtja që për hir të së vërtetës është reparti i dytë më i dobët pas Lushnjës.
Një skuadër që ka shënuar 34 gola, vetëm Skënderbeu dhe Kukësi kanë shënuar më shumë, Teuta nuk mban në gjirin e saj një sulmues goleador të kampionatit, pasi Latif Amadou me 4 gola është shumë larg garës për Këpucën e Artë.
Goleadori i skuadrës është mesfushori Anel Dedic me 8 realizime, ndërkohë që goli është një çështje grupi pasi janë plot 16 lojtarë që kanë shënuar me fanellën e Teutës, duke përfshirë edhe futbollistët e larguar gjatë merkatos së janarit, Nijaz Lena, Albi Dosti dhe Ardit Shehaj. Teuta nuk ka në përbërje një qendërsulmues të mirëfilltë, por gjen në vazhdimësi rrugën e rrjetës në kampionat. Duket e pabesueshme, por sulmi i tretë më i mirë i kampionatit lufton për të mbijetuar.
Ekipi Gola të shënuar
Skënderbeu 58
Kukësi 51
Luftëtari 34
Teuta Durrës 34
Partizani 33
Laçi 33
Flamurtari 29
Kamza 29
Vllaznia 29
Lushnja 20
KOHA JONË SONDAZH

