Kahn: Bufon duhet të ishte tërhequr më parë, do ta evitonte Suedinë dhe Realin
Oliver Kahn mendon se Xhanluixhi Bufon nuk duhej të ishte në sfidën ndaj Realit në çerekfinalen e Championsit, edhe pse bëri një paraqitje fantastike. Për ish-portierin e Bajernit dhe Gjermanisë, Bufoni do të kishte bërë mirë të tërhiqej më herët nga futbolli. Pikërisht siç bëri edhe vet ai, apo siç bëri më pas Filip Lahm.
“Sigurisht nuk është e lehtë të kuptosh se kur duhet të ndalesh. Nëse do të ishte tërhequr më herët, ai do të kursente eliminimin nga Suedia, por edhe këtë zhgënjim të fundit përballë Realit. Megjithatë, ai është shtyrë gjithmonë nga arritja e rekordeve të reja, e mbi të gjitha nga ëndrra për të fituar Champions League”, shpjegon ish-portieri i njohur për gjermanen “Bild”.
Kahn vendosi të tërhiqej gradualisht. Në fillim la Kombëtaren në vitin 2006, në përfundim të Botërorit të Gjermanisë, e më pas në vitin 2008 i dha “lamtumirën” edhe futbollit të luajtur.
“Ndoshta mund të luaja edhe për 2-3 vite të tjera. Por për çfarë do të nevojitej? Edhe Lahm më duket se mori vendimin në kohën e duhur. Nëse nuk je në gjendje të përcaktosh momentin e duhur për t’u ndalur, largimi më pas është më i dhimbshëm. Do t’i sugjeroja Bufonit të varte këpucët në gozhdë. Ai ka qenë kampion bote, ka qenë portieri më i fortë në botë, e këto vlejnë shumë. Sigurisht nuk vlen aspak kartoni i kuq i marrë në ndeshjen me Realin dhe fakti që nuk ka fituar ndonjëherë Championsin”, u shpreh Kahn.
KOHA JONË SONDAZH

