Kelmendi e Gega, shqiptaret që shkëlqyen në 2016-n

Majlinda Kelmendi dhe Luiza Gega mund të konsiderohen edhe femrat më të suksesshme të sportit shqiptar të vitin 2016. Xhudistja nga Peja realizoi ëndrrën e saj për medaljen e artë olimpike, madje për herë të parë himni i Kosovës u luajt në një olimpiadë falë punës dhe talentit të xhudistes. Edhe pse për shumë vite një prej sportisteve më të suksesshme në disiplinën e saj, Kelmendi nuk kishte arritur të triumfonte në skenën më të rëndësishme të sportit botëror dhe olimpiada e Rios e shpërbleu për sakrificat e mëdha të bëra gjatë vitit 2016 pas shumë muajve të kaluar mes palestrës dhe infermierisë për shkak të një dëmtimi në shpinë. 25-vjeçarja triumfoi në kategorinë 52 kg pasi ndryshe nga 4 vjet më parë u shfaq perfekte në olimpiadë, duke mos gabuar në asnjë prej përballjeve që kulmuan me finalen ndaj italianes Odette Giuffrida.

Kelmendi e nisi garimin e saj në fazën e 1/8 kur arriti të mundë në vetëm 25 sekonda zviceranen Evelyne Tschopp me një “ippon” prej mjeshtre të vërtetë. Në çerekfinale përballë saj ishte xhudistja nga Mauritius, Christianne Legentil, që e kishte eliminuar në Olimpiadën e Londrës. Por këtë herë Majlinda, me katër vjet përvojë më shumë mbi supe dhe si kampione e Botës arriti të shfaqë gjithë forcën e saj duke fituar pa shumë probleme për të siguruar një vend në gjysmëfinale. Përballë saj ishte japonezja Nakamura, një ish kampione e Botës. Një finale e parakohshme e cila u kuptua dhe nga beteja e fortë mes dy xhudisteve. Japonezja që në fillim u ndëshkua me një penalitet dhe provoi të kthente ndeshjen duke provuar të rrëzojë në tapet Majlindën, por xhudistja pejane rezistoi për të marrë finalen e saj dhe njëkohësisht për të konfirmuar të parën medalje në një Olimpiadë për vendin e saj.

Një tjetër femër e suksesshme e sportit shqiptar në vitin 2016 konfirmohet Luiza Gega, e cila u shpall nënkampione Europë në garën 3 mijë metra me pengesa. Në këtë mënyrë, ajo u bë shqiptarja e pare qe shpallet nënkampione e kontinentit në një kampionat europian te atletikes. 28 vjeçarja u rendit e dyta në garën e 3000 metrave me pengesa duke ndalur kronometrin në 9’28”52 për të thyer kështu me rreth 4 sekonda dhe rekordin kombëtar. Një arritje fantastike kjo për Gegën që e niste me pretendime të mëdha këtë garë pasi kishte dalë e para në garën kualifikuese pak ditë më parë. Ishte e lehtë të dallohej në sytë e atletes shqiptare pas garës zhgënjimi pasi ishte e bindur se mund të kishte rrëmbyer medaljen e artë gjithsesi dhe ajo e argjendtë dhe titulli nënkampione e Europës janë padyshim një arritje e shkëlqyer dhe mbi të gjitha shpresëdhënëse për atletiken shqiptare.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?