“Këpuca e Artë”, Guri dhe Soue të abonuar me golin këtë sezon
Skënderbeu u shpall zyrtarisht kampion të mërkurën në mbrëmje, pas humbjes së Kukësit në Durrës. Ndeshjet e kësaj mesjave në fakt ishin edhe një duel në distancë mes Gurit dhe Soue, të cilët spikatën me golat e shkëlqyer. Tashmë të dy sulmuesit potent të të dyja ekipeve janë në të njëjtën kuotë golash, 19.
Ali Soue i Skënderbeut, shënoi tre gola ndaj Lushnjës, duke shpëtuar skuadrën e tij nga një humbje që mund të kishte vendosur jo pak në vështirësi ekipin e tij. Bomberi nga Gambia këtë sezon ka qenë një hero “fjalë pak”, i cili ka zhvilluar thuajse gjithmonë ndeshje të mira. Soue po kalon një forma të jashtëzakonshme, teksa në 8 ndeshjet e fundit ka shënuar 9 gola, 5 vetëm në dy takimet e fundit ndaj Laçit dhe Lushnjës. Trajneri Ilir Daja e pranoi dje se ekipi do ta ndihmojë për të shënuar sa më shumë në javët e fundit. Meraku më i madh i korçareve, qëndron në faktin se mund ta humbasin në fund të sezonit për shkak se ai ka ardhur në formë huazimi.
Sidrit Guri ndërkohë i ka mahnitur të gjithë, pas largimit të Bakajt. Bomberi shkodran është kthyer në një makineri golash, duke realizuar 19 deri më tani, por duke qenë edhe pika e referimit në ekipin verilindor. Guri ka shkëlqyer aq shumë saqë ka lënë pa fjalë edhe trajnerin e Kombëtares, i cili të mërkurën ishte i pranishëm në “Niko Dovana” për ta ndjekur nga afër. “Ai ka bërë vendin vetes”, u shpreh tekniku italian, si për të konfirmuar ftesën për miqësoret e qershorit. 24-vjeçari ka shënuar 10 gola në 10 ndeshjet e fundit, duke marrë në konsideratë edhe ndeshjet e Kupës. Më shumë se kaq nuk mund të pretendosh nga një sulmues.
Pyetja që shtrojnë të gjithë tashmë është: Kush do ta fitojë Këpucën e Artë, Soue apo Guri? /Rozalb Lika- Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

