Krespo: Nuk ka asnjë si Ikardi në zonë, por ai nuk ka mik Mesin
Ish-sulmuesi i njohur i Interit, Hernan Krespo është i bindur se brenda zonës së rreptësisë asnjë nuk është më “vrasës” se Mauro Ikardi. Këtë sezon sulmuesi zikaltër ka shënuar 28 gola në 32, duke konfirmuar edhe fjalët e bomberit argjentinas.
“Po të isha Inter, nuk do ta shisja kurrë Ikardin. Çfarë sinjali do t’u jepej tifozëve nëse lideri, kapiteni dhe lojtari më i talentuar i ekipit do të shitej. Brenda zonës së rreptësisë, nuk ka asnjë sulmues si Ikardi në botë. Nëse një kros mbërrin në zonë, ai është vrasës. Nëse do të ndërtosh aksionet me pasime në qendër të fushës, atëherë Higuain dhe Aguero janë më të përshtatshëm, por nëse luan si Inter me shumë krose të futur në zonë, ku do të gjeni një lojtar më të mirë se Ikardi?
Ai ka një mendje të shpejtë dhe ekzekuton po aq shpejtë, fizikisht është si një dem, godet mirë me të djathtën, po ashtu me të majtën dhe fiton të gjithë dyluftimet në ajër. Pas Kristiano Ronaldo dhe Mesit, që janë në një planet tjetër, nuk ka shumë sulmues më të mirë se Ikardi. Në moshën 25-vjeçare, Maurito ka shënuar 109 gola në 188 ndeshje por mesa duket nuk do të udhëtojë në Rusi. Mesa shoh unë, ai nuk është miku i Mesit. Apo e kam gabim?”, tha Krespo për “Gazzetta dello Sport”.
KOHA JONË SONDAZH

