Liverpuli në “ankth”, Salah dhe Mane i gjen finalja e Championsit në agjërim
Rozalb Lika
Për Real Madridin, kërcënimi më i madh në finalen e Ligës së Kampionëve në Kiev është Mohamed Salah. Ylli i skuadrës angleze ka zhvilluar një sezon të shkëlqyer deri më tani, teksa është në garë edhe për fitimin e “Këpucës së Artë” me Mesin, pasi ka shënuar vetëm një gol më pak (31). Egjiptiani është emëruar si lojtari më i mirë në Premier Ligë në këtë sezon. Fizikisht ai është në një formë perfekte dhe përshtatet në mënyrë të përkryer me stilin e lojës së Jurgen Klop, ndërkohë që ka edhe aftësi të lindura për të gjetur rrugën e rrjetës.
Kondicioni i tij fizik mund të rrezikohet disi nga besimi i tij fetar. Finalja e Ligës së Kampionëve në Kiev do të gjejë lojtarin mysliman në muajin e agjërimit. Këtë vit, Ramazani do të fillojë më 15 maj dhe do të përfundojë më 14 qershor (në ditën kur do të fillojë Kampionati Botëror në Rusi). Finalja e Ligës së Kampionëve do të luhet të shtunën e 26 majit, ndërkohë që ai do të jetë duke agjëruar gjatë gjithë ditës. Kjo nuk do të thotë se ai nuk do të jetë në gjendje për të luajtur, por ai me siguri që do të ndryshojë regjimin e tij ushqimor, pasi nuk do të konsumojë asgjë nga lindja e diellit deri në perëndimin e tij. Agjërimi kërkon zbatimin e një regjimi strikt, ku nuk lejohet as që të pihet ujë.
Shumica e futbollistëve myslimanë nuk ndikohen, por shqetësimi është i madh, pasi në një ndeshje të tillë, duhet që të jesh në 100 për qind të formës. Kolegu i tij, Alberto Moreno, ka thënë se ai “jep vetëm 20% në stërvitje nga frika e dëmtimit”, një shenjë se Salah po kujdeset për veten dhe për finalen e madhe. Ajo që është e qartë është se ai do të jetë nën mbikëqyrje mjekësore në çdo kohë.
Por Salah nuk është i vetmi futbollist mysliman te Liverpuli që do të do të agjërojë gjatë Ramazanit. Një tjetër lojtar vendimtar si Sadio Mane, gjithashtu do të jetë në këtë regjim, që do të thotë se ekipi anglez mund të vuajë efektet e agjërimit te dy lojtarët më të shpejtë të sulmit. Emre Çan ndërkohë është i dëmtuar, dhe nuk do të jetë i gatshëm në finale. Edhe ai është një ndjekës i rregullt i muajit të shenjtë, por për të nuk ka aspak shqetësim te trajneri Klop. Në Kiev dita e agjërimit fillon orën 5:00 dhe ndërkohë që dielli perëndon rreth orës 20:45 (vetëm kur fillon finalja), kjo do të thotë se lojtarët e Liverpulit nuk do të konsumojnë asgjë që nga mëngjesi. Edhe Reali do të preket nga muaji i Ramazanit, megjithëse në një masë më të vogël. Mbrojtësi i krahut të djathtë, Hakim Afrati do të ndryshojë regjimin e tij të zakonshëm, por marokeni nuk është një futbollist titullar te madrilenët.
Futbollistët mund të vendosin që të mos të agjërojnë në ditën e 26 majit, pasi fakti se do të udhëtojnë 84 kilometra, e bën një vendim të justifikueshëm. Edhe Benzema është mysliman, por sulmuesi francez nuk agjëron prej vitesh, pasi nuk mund ta përballojë për shkak të lodhjes së madhe në stërvitje dhe ndeshje. Sulmuesi francez e ka ndaluar agjerimin, sepse duke pasur parasysh profesionin e tij si futbollist, ishte e pamundur që ai të mos ushqehej dhe të vazhdonte që të luante në nivele të larta. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

