Modric takim me Perez për të vendosur për kalimin ose jo tek Interi
Luka Modric mund të jetë goditja e madhe e Interit në këtë merkato vere. Pasi hoqën dorë nga Arturo Vidal, tashmë zikaltërit janë përqendruar për të bërë realitet një ëndërr të madhe. Gazeta madrilene “AS” shkruan se më 8 Gusht do të jetë dita e të vërtetës, pasi do të vendoset përfundimisht e ardhmja e kapitenit të Kroacisë. Pikërisht në këtë datë, Modric do të takohet me Perez dhe do të diskutojnë për rinovimin e kontratës, me kroatin që ka kërkuar zgjatjen e saj edhe për dy sezone të tjera.
Pas një Botërori si protagonist, kroati duket i bindur të zgjasë karrierën e tij dhe nëse këtë nuk ia ofron Reali, do t’i kërkojë Perezit largimin për tek Interi. Nga ana tjetër, zikaltrit kanë marrë miratimin e Suning për të ofruar 15 milionë euro për huazimin këtë sezon dhe 25 të tjera për blerjen verën e ardhshme, për një operacion total prej 40 milionë eurosh.
Për Modriç është gati një kontratë 4-vjeçare, me rreth 10.5 milionë euro në sezon, aq sa fiton aktualisht te Reali. Alternativa nëse ky operacion nuk kompletohet do të jetë Rafinha, i cili shkëlqeu me Interin sezonin e kaluar, por ishte në formë huazimi nga Barcelona./Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

