Mourinho: Ja cila skuadër mund ta fitojë Premier League-n
Edhe pse ka fuqizuar ekipin e tij me blerje si mesfushori Fred apo mbrojtësin Dalot, trajneri i Manchester United, Jose Mourinho, mendon se një skuadër rivale mund ta fitojë titullin kampion në Angli.
Tekniku portugez, pas ndeshjes miqësore me Milanin të cilën skuadra e tij e fitoi me penallti (9-8), u shpreh se me merkaton që Liverpool ka zhvilluar këtë sezon është pretendente kryesore për të fituar Premier League-n.
“Unë mendoj që, nëse keni të holla, nëse investoni si duhet, është më mirë se t’i keni ato në bankë, sepse interesat janë shumë të ulëta. Problemi është që ju duhet të investoni mirë dhe me ndershmëri. Mendoj se “Reds” e kanë bërë shumë mirë këtë gjë, sepse çdo lojtar që blenë këtë verë, janë cilësorë”, u tha Mourinho gazetarëve.
“Jam i lumtur për ta. Ndoshta këtë sezon, më në fund, Liverpool do të fitojë diçka. Të gjithë po presin të shohin produktin e këtij ekipi, në të cilin nuk kanë munguar investimet e mëdha jo vetëm për sezonin e ri, por edhe sezonin e kaluar. Unë nuk shoh një tjetër ekip, që po i afrohet Liverpool me këtë nivel investimi. Një ekip që ishte edhe finalist në Ligën e Kampionëve duhet të jetë kandidat i madh për të fituar Premier League. Në futboll, duhet të fitoni”, përfundoi ai.
Liverpool “kurorëzoi” Alisson Becker si portierin më të shtrenjtë në histori, kur ai u bashkua nga Roma për 65 milionë paund. Naby Keita nga RB Leipzig, Fabinho nga Monaco dhe Xherdan Shaqiri nga Stoke City, janë blerjet e tjera të bujshme dhe shumë premtuese për “The Reds”.
KOHA JONË SONDAZH

