Mourinjo rrëfëhet për largimin e Salah nga Çelsi: Unë e bleva dhe nuk e shita!
Ish-trajneri i Çelsit, Jose ka rrëfyer për “ESPN Brazil” se meriton vetëm të lavdërohet që arriti të sillte Mohamed Salah në “Stamford Bridge” e jo të akuzohet për shitjen e yllit aktual të Liverpulit te Roma në vitin 2016.
Gjatë kohës që drejtonte Blutë e Londrës, strategu portugez kërkoi me ngulm atëherë 21-vjeçarin e Bazelit për 16.5 mln euro, në janar të vitit 2014. Gjithsesi, egjiptiani nuk arriti të gjente hapësirat e duhura te “blutë” e Londrës, e për këtë arsye u huazua te Fiorentina dimrin pasardhës, për t’u shitur përfundimisht te Roma një vit më vonë.
“Njerëzit mendojnë se isha unë që e shita Salahun, por është e kundërta. Unë kërkova ta blinim! Unë isha ai që u thashë drejtuesve të Çelsit ta blinin egjiptianin. Isha unë në krye të bluve, kur ai erdhi te Çelsi. Por, ai erdhi në moshë shumë të re, fizikisht nuk ishte gati, sikurse psikologjikisht, në aspektin social dhe kulturor. Shumëçka është thënë për të madje. Vendosëm ta huazonim, sepse edhe ai na e kërkoi diçka të tillë. Ai donte të luante më shumë, të maturohej, e pse mos e bënte këtë te Fiorentina. Tani, ishte Çelsi që vendosi ta shiste atë, jo unë.
Më vjen keq që ata janë shprehur se isha unë që e shita. Është tërësisht një gënjeshtër. Unë e bleva, pranova ta huazonim sepse mendova që ishte e nevojshme, e për më tepër sepse Çelsi kishte lojtarë krahu asokohe. Disa prej tyre janë ende te Çelsit, po të shikosh Uillian, Hazard, e gjithë të tjerët që kanë përmirësuar gjithashtu nivelin e tyre.
Vendimi për huazimin e tij ishte kolektiv, por vendimi për ta shitur atë për të shfrytëzuar paratë nga ai që të blihej dikush tjetër, nuk ishte i imi. Edhe po të ishte, në futboll mund të gabosh shumë herë, pasi shumë lojtarë zhvillohen në mënyrë të atillë që ne nuk mund ta parashikonim, disa të tjerë nuk arrijnë nivelin që ne mendojmë se do të arrijnë. Kështu që nuk mendoj se është një gabim, është pjesë e punës sonë”, tha stretegu portugez.
KOHA JONË SONDAZH

