FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Napoli blindon Hysaj, sfidë Ronaldos

Afrim lojtarësh për të përforcuar skuadrën, shitje por edhe rinovime. Napoli mbetet aktiv në merkato por një çështje me rëndësi te nënkampionët e Italisë është cilësuar edhe e ardhmja e mbrojtësit Elseid Hysaj.

Ai e ka të qartë se çfarë kërkon të arrijë sezonin e ardhshëm, ku flet për Championsin. ”Rinovimi i kontratës sigurisht që do të më pëlqente por kam edhe tre vite, të presim se çfarë do të ndodhë. Duam të fitojmë diçka dhe kur e them këtë, nuk e kam fjalën vetëm për “Scudetton”. Duam gjithçka. Edhe Championsi nuk është keq (qesh). Me kalimin e kohës çdo trofe ka rëndësinë e tij. Të avancosh në Europë është bukur, shpresojmë të arrijmë sa më larg. Ancelotti ka fituar tre Champions. Ka shumë eksperiencë dhe do të na mësojë shumë”,-thotë Hysaj.

I kërkuar me ngulm nga Chelsea, shqiptari ishte edhe në radarët e Manchester United dhe Liverpool. Gjithsesi, Hysaj mbetet një prej elementëve më të rëndësishëm të Napolit, me drejtuesit e klubit që janë takuar me menaxherin e lojtarit, Mario Giufreddi.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ky i fundit pohoi se bisedoi me klubin rreth planeve për Hysajn dhe të ardhmes, duke bërë të ditur se gjithsesi palët nuk e kanë me nxitim që të rinovojnë kontratën aktuale që përfundon në vitin 2021. Giufreddi saktësoi se nëse Napoli do ti propozojë zgjatjen e marrëveshjes, patjetër që palët do të uleshin të bisedonin, sepse Hysaj kërkon të tregojë që është i fortë edhe në fazën ofensive dhe se mund të paraqitet mirë edhe pa trajnerin Sarri.

Swiss Digital Mobile Reklama

Negociatat për rinovimin e kontratës së Hysajt janë shtyrë për në muajin shtator, kur përfaqësuesi i lojtarit kuqezi dhe drejtuesit e Napolit do të zhvillojnë një tjetër takim. Plani i klubit të Serisë A është që ta “blindojë” mbrojtësin shkodran, me një kontratë afatgjatë deri në vitin 2023. Në anën tjetër, menaxheri i kuqeziut pretendon nga klubi heqjen e klauzolës me vlerë 50 milionë euro për prishjen e kontratës, si edhe rritjen e pagës.

Aktualisht Elseid Hysaj përfiton diçka më tepër se 2 milionë euro në sezon, ndërsa në kontratën e re, në rast se palët gjejnë gjuhën e përbashkët, rroga e mbrojtësit pritet të shkojë në shifrën 2,5 milionë euro.

Por Hysaj ka edhe një mesazh për Ronaldon, për të cilin thotë se nuk do t’i shënojë Napolit por e pranon se ai është lojtar i një niveli të lartë.

”Siç e dimë të gjithë, është një lojtar i nivelit shumë të lartë. Më bëhet qejfi që ka ardhur në Itali, na stimulon shumë prania e tij. Markimi i tij është një sfidë që më pëlqen. Ne jemi një grup i madh dhe një lojtar i vetëm nuk bën grup. Të shohim si do të përshtatet në Itali. Një lojtar i vetëm mund të bëjë diferencën në një ndeshje të caktuar, jo përgjatë gjithë kampionatit”,-thotë Hysaj.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?