Ndoj dhe Çekiçi: Fitojmë ndaj Sllovakisë, na mungojnë lojtarët që ikën në Kombëtare
Kombëtarja “Shpresa” është duke u përgatitur për ndeshjen e 23 marsit ndaj Sllovakisë. Në konferencën e radhës për shtyp ka dalë mesfushori Emanuele Ndoj dhe Endri Çekiçi. Të dy mesfushorët kuqezi kanë folur me nota mjaft optimiste për ndeshjen me Sllovakinë, që luhet në stadiumin “Selman Stërmasi” më 23 mars.
“Jemi duke u stërvitur përditë, nuk kemi folur specifikisht për pozicionin e mesfushës. Kur të vij ndeshja, do të shohim si mund të luajmë, nuk e dimë akoma. Jemi grup i mirë, kemi lojtarë të mirë dhe mesfusha nuk ka mungesa, në fund vendos trajneri. Kemi parë ndeshjet dhe po i studiojmë. Shpresojmë për fitore dhe të luajmë sa më mirë. Do të na mungojnë shumë lojtarët që kanë ikur në kombëtaren A, por kanë ardhur lojtarë të rinj, që shpresoj të japin maksimumin. Do t’i fitojmë dy ndeshjet me Sllovakinë” – u shprej Ndoj.
Ndërsa mesfushori-sulmues Endri Çekiçi, u shpreh: “Është pak e rëndësishme të përfaqësosh kombëtaren A apo kombëtaren U-21. Unë vij gjithmonë me dëshirë dhe dua të jap maksimumin tim. Kalimi te kombëtarja është diçka që nuk më takon vetëm mua, por edhe më takon vetëm mua. Në momentin që do të bëj atë hapin që të gjithë presin, besoj se kombëtarja A është aty dhe do të vij koha vetë.
Asnjë lojtar nuk duhet të jetë i kënaqur nga ajo çfarë ka ofruar deri tani, pasi do të ofrojë edhe më shumë, duke qenë akoma dhe më i mirë, duke tejkaluar veten. Çdo lojtar që hyn në fushë nga minuta e parë, ka përgjegjësitë e veta dhe e rëndësishme është që lojtarët të jenë të qetë nga ana psikologjike, të japin maksimumin e tyre. Akoma nuk kemi një formacion për t’u hedhur në fushë. Nuk ka rendësi jam apo jo titullar, pasi përherë do të jap maksimumin”, deklaroi Çekiçi.
KOHA JONË SONDAZH

