Pakult: Guri si Mesi dhe Ronaldo, ultimatumi i Gjicit …
Kukësi do të përballet sërish me Laçin, por këtë herë dueli do të jetë i vlefshëm për kampionat. Trajneri Peter Pakult nuk e ka fshehur se kjo do të jetë një mundësi e mirë për të marrë hak për eliminimin në Kupë.
“Në dy ndeshje me Laçin nuk pësuam humbje, por kundërshtari shënoi në fushën tonë dhe u eliminuam. Personalisht, nuk shoh mbrapa, pasi nuk kthehet asgjë. Edhe nga ekipi dua që të shohë para dhe jo mbrapa. Unë kam ardhur kur ishim në vendin e 4-t, me 3 pikë pas Flamurtarit dhe 2 pas Laçit. Për momentin jemi te dytët, me 9 pikë para Partizanit, 10 para Luftëtarit. Nuk mund të them më tepër se kaq.
Do të tentojmë revanshin ndaj Laçit dhe shpresoj që nesër të marrim pikë. Nëse e analizojmë Laçin, them se janë me të drejtë aty ku janë. Ne shtëpi luan shumë fort dhe të gjithë ekipet që luajnë në Laç, duhet të japin më shume se maksimumin. Kundërshtari duhet të vlerësohet për atë që jep. Në sport, 3 ditë para mund të flasësh mirë dhe pas 3 ditësh mund të flasësh keq. Të mërkurën kishim mungesa dhe ndikuan të loja dhe rezultati i ndeshjes. Sot në stërvitje do të shoh kush është i gatshëm për nesër dhe do vendos.
Bakaj? Largimi i tij është diçka që i përket të ardhmes dhe s’dua të flas që tani për të. Interesimi që po zgjohet për të është diçka shumë e mirë, por edhe normal, pasi e meriton. Për sa na përket ne dhe stafit drejtues, jemi të lumtur që Guri ka një ecuri të tillë. Po luajmë me një sulmues dhe kjo është hera e parë që më ndodh. Falënderoj Zotin, që Guri ka një ecuri të tillë dhe nuk është dëmtuar. Që nga fillimi Guri shënon në çdo ndeshje, si fitore, si humbje, ashtu si Mesi e Ronaldo. Kur u largua Bakaj, Guri është nënvlerësuar pak. Kundërshtarët ishin të përqendruar shumë te Bakaj. Ekipi im meriton një kompliment të madh për mënyrën si i ka çuar gjërat deri tani, pasi largimin e Bakajt ekipi e ka kaluar mjaft mirë dhe ka reaguar shumë mirë.
Fitoret që kemi bërë nuk i kemi marrë më eufori dhe duhet që 7 ndeshjet e ardhshme t’i marrim një nga një dhe ta përfundojmë në vendin e dytë, që për mua do të ishte diçka shumë e mirë.
Duke qenë se i shoh gjërat ne një sy tjetër, them që pritshmëritë dhe realiteti nuk duhet të jenë larg me njëri-tjetrit. Jemi të kënaqur me punën që ka bërë ekipi. Do të ishim shumë më të kënaqur, nëse kalonim në finale, por s’ma jep kush sigurinë që do ta fitonim Kupën edhe nëse kalonim. Në futboll fiton vetëm një ekip. Në kampionat mund të ketë me shumë fitues, pasi çdo ekip ka objektivat dhe ndoshta i arrin, siç është Europa, Që nga nesër do fillojmë të mbrojmë vendin e dytë.
Ultimatumi i Gjicit? Në Austri kemi një thënie: Në paragrafin 1 thuhet se Presidenti ka të drejtë, kurse në paragrafin 2 thuhet se, nëse nuk ka të drejtë, e merr të drejtën paragrafi 1. Pra, gjithmonë presidenti ka të drejtë.
Nuk i druhem kalendarit, pasi rivalët duhet të fitojnë çdo ndeshje deri në fund. Edhe ne do të luajmë siç e kërkojmë dhe në ndeshjen e fundit kishim dy mungesa kryesore. Shpresojmë që deri në fund të arrijmë vendin e dytë dhe ta mbyllim sa më shpejt, – u shpreh trajneri Pakult.
KOHA JONË SONDAZH

