Pakult: Qëndroj te Kukësi dhe sezonin e ardhshëm, Guri nuk shpëton me pica
Trajneri i Kukësit, Peter Pakult, ka folur në prag të ndeshjes ndaj Teutës, duke konfirmuar se do të mbetet trajneri i verilindorëve edhe në sezonin e ardhshëm.
“Në janar, kur kemi pasur bisedime, kemi folur që po arritëm qëllimet e përbashkëta, pra Europën, kontrata vazhdohet. Ndaj, mendoj se nuk ka arsye pse të mos vazhdohet. Jam me shumë kënaqësi këtu dhe shpresoj që të bëjmë gjëra të mira. Kemi zhvilluar biseda në javën e kaluar me presidentin dhe kemi diskutuar për shumë gjëra.”
Ndeshja me Teutën: “Kam respekt për çdo kundërshtar, edhe për Teutën. Nesër na pret një ndeshje e vështirë. Si vendësve, edhe neve na duhen pikët. Duam të japim maksimumin për të fituar. Teuta ka më shumë për të humbur se ne, i duhen patjetër pikët, sepse i kanë më të rëndësishme për mbijetesën. Parashikoj një ndeshje të vështirë, por të shohim si do të shkojnë gjërat”.
Precedenti me Lushnjën: “Nëse fillojmë e mendojmë kështu, se trajneri ka nevojë çdo ndeshje të motivojë lojtarët, është gabim. Çdo profesionist duhet të dijë se për çfarë punon dhe për çfarë paguhet. Pra, në çdo ndeshje duhet të jetë i motivuar. Një trajner, në momentin kur sheh ndonjë gjë, ndërhyn në ekip. Lojtarët e dinë që nuk e kemi arritur ende qëllimin tonë, vendin e dytë, ndaj duhet të bëjmë më të mirën në çdo ndeshje, pavarësisht kundërshtarit përballë. Të gjithë e dimë që Teuta lufton për mbijetesë dhe synon medoemos tri pikët ndaj nesh, sikurse bëri ndaj Partizanit. Pra, paralajmërimin e kemi të freskët”.
Arritja në zonën europiane dhe merktoja: “Presidenti është i gatshëm të vazhdojë këtë rrugë. E theksoj se për çdo gjë, ekipi duhet të ketë mundësi financiare. Po arriti pastaj në grupe, është shumë mirë, se të gjithë i dimë përfitimet që vijnë nga UEFA. Një gjë që është shumë e rëndësishme në këtë moment: kemi një detyrë shumë të madhe përpara, se po vjen merkato dhe duhet të sjellim lojtarë që bëjnë diferencën dhe rrisin paraqitjen e ekipit. A mund të jetë Danilo Alvesh një përforcim? Jemi të befasuar në këtë moment, që është lënë lojtar i lire nga Flamurtari. Do të kemi bisedime me të, pasi është lojtar interesant për shumë ekipe.
Largimi i Gurit: Dua të sqaroj diçka. Nuk i kam sugjeruar asnjë kampionat, por kam pasur një bisedë me të dhe i kam treguar ekipet që janë interesuar për Gurin. Kjo nuk është diçka e mirë, pasi nuk e di ende se ku do të jetë e ardhmja. Dua që Guri të mos ketë presione të ndryshme në këto 4 ndeshje të mbetura, por të mbajë këtë rrugë, të vijojë të japë më të mirën e tij. Guri nuk duhet ta shohë këtë si sukses individual, pasi ka kontribuar edhe ekipi për këtë. Duhet t’i ftojë të gjithë në një drekë, nëse largohet. Këtë herë nuk do të shpëtojë me pica”.
KOHA JONË SONDAZH

