Partizani reagon për çështjen e trajnerit: Media do të destabilizojë harmoninë tonë
Klubi i Partizanit ka reaguar ashpër për çështjen e trajnerit të përfolur në ditët e fundit në mediat. Në deklaratë theksohet se trajneri Klevis Dalipi gëzon mbështetje të plotë nga klubi, ashtu sikurse edhe lojtarët. Klubi i kuq kërkon ndërkohë nga shtypi sportiv që të jetë më korrekt në dhënien e informacioneve, teksa në deklaratën për shtyp shkruan se disa media kërkojnë të destabilizojnë harmoninë e ekipit.
Deklarata për shtyp
Duke marrë shkas nga lajmet e publikuara së fundmi në mediat sportive në lidhje me të ardhmen e lojtarëve tanë dhe trainerit të ekipit Klevis Dalipi, klubi nëpërmjet kësaj deklarate për shtyp dëshiron të distancohet nga pavërtetësia e tyre duke specifikuarse trajneri Dalipi do të vazhdojë të jetë në drejtimin e skuadrës.
Ai gëzon mbështetjen e plotë të drejtuesve të klubit, sikurse dhe lojtarët, kontratat e të cilëve janë vënë në diskutim në shkrimet në fjalë, janë tërësisht të përqendruar për të arritur objektivat e klubit dhe deri tani kanë shprehur dëshirën të vazhdojnë të përfaqësojnë ngjyrat e Partizanit. Për më tepër vendimin për trajnerin drejtuesit e klubit e kanë konfirmuar në vazhdimësi dhe e ka rikonfirmuar pak ditë më parë edhe vetë Presidenti Demi, përgjatë një prononcimi dhënë për emisionin “Zona Gol”.
Kreu i 15-të herë kampioneve të vendit i ka dhënë mbështetje të plotë trajnerit Dalipi, madje duke i konsideruar “barcaleta” dhe aspak të vërteta informacionet që mediat e shkruara servirin për opinionin sportiv. Insinuatat e pavërteta për probleme brenda klubit, si dhe aludimet për emra trajnerësh, pikërisht në prag të ballafaqimeve të rëndësishme në këtë fazë kyçe të kampionatit, konsiderohen tendencioze me qëllim për të destabilizuar harmoninë në skuadër dhe punën e trajnerit Dalipi. I tërheqim vëmendje mediave të jenë më korrekte në informacionet që përcjellin dhe ju rikujtojmë se në çdo rast mund të kontaktojnë me zyrën për shtyp të klubit, e cila mbetet gjithmonë në shërbim të tyre.
KOHA JONË SONDAZH

