Partizani – tifozëve: Pajtohemi, për titullin kampion!
Partizani, pas 22 javësh, nga një ndër ekipet pretendente për të fituar titullin kampion dhe trofeun e kupës, e sheh veten para zhgënjimit të tifozëve. Skuadra e Partizanit ndodhet aktualisht në vend të 4-ët me 41 pikë, plot 6 pikë pas kryesuesve të Tiranës e Kukësit. Jashtë nga gara për të fituar edhe titullin e dytë më të rëndësishëm në vend, siç është edhe trofeu i kupës, tashmë të besuarve të trajnerit Shpëtim Duro, nuk iu mbetet tjetër gjë, veçse të përqendrohen tek objektivi i vetëm i mbetur në lojë, titulli kamion. Për të konfirmuar objektivin e fundit të mbetur në lojë, si edhe për t’u shfajësuar për gjendjen jo aq të mire që klubi po kalon.
Reagimi
Zyra për shtyp e Futboll Klub Partizanit me anën e një letre të hapur dhe të publikuar edhe në adresën e klubit në rrjetin social “Facebook”, ka dashur të sqarojë mbarë opinionin sportiv në lidhje me situatën e krijuar pas rezultateve të fundit negative që ka ndeshur klubi, dhe që kanë ndezur edhe mjaft polemika e spekulime lidhur me idenë e favorizimeve apo të trukimeve të ndeshjeve. – “Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë sigurisht mund të konsiderohet një dështim për vetë objektivat që klubi kishte për këtë sezon futbollistik”, – shkruhej në sqarimin publik, që ka postuar vetëm pak më parë klubi lidhur me ndeshjen kupës të atë të 18 shkurtit, kur Partizani u mund nga Laçi, 3-0. – “Ishte një paraqitje në të cilën ndikuan shumë faktorë , dëmtime lojtarësh , por edhe gjykimi i njëanshëm i kryesorit Alla me vendimet e akorduara, dhe kjo duhet harruar sa më parë pasi përpara na pret një garë mjaft e vështirë ku synimi i klubit tashmë mbetet vetëm fitimi i titullit kampion”, vijon sqarimi nga ana e klubit lidhur me humbjen e pësuar në Laç në ndeshjen e zhvilluar për Kupën e Shqipërisë.
Titulli
Megjithatë Partizani nuk heq dorë nga pretendimet për titull. – “Jemi plotësisht në luftë për të synuar këtë trofe, i cili i mungon 15 herë Kampionëve të vendit për afro dy dekada dhe që është aq i dëshiruar nga e gjithë familja e kuqe, dhe pas një analize të hollësishme të zhvilluar mes drejtuesve të klubit dhe lojtarëve, këta të fundit garantuan se pavarësisht këtij momenti jo të mirë do të japin më të mirën në të gjitha takimet e mbetura”, – shkruhej në letrën sqaruese të publikuar nga zyra për shtyp e “Demave të Kuq”. Sakaq nuk ka munguar apelimi i drejtuesve të Partizanit, të cilët kërkojnë një mbështetjen maksimale nga tifozeria për të kaluar këtë moment të vështirë. – “Siç na keni përkrahur jo vetëm përgjatë gjithë këtij sezoni por në çdo moment të vështirë që ka kaluar klubi ,pa praninë tuaj në shkallët e stadiumit do ta kemi mjaft të vështirë të realizojmë objektivin madhor titullin kampion”, – shkruhej në apelimin që drejtohej tashmë mbarë tifozët që kanë 15 herë Kampionët e Shqipërisë. Ndërkohë Partizani ndeshjen radhës, atë të vlefshmen për javën e 23-të të Kategorisë Superiore, do ta luajë kundër Teutës së Durrësit më 22 shkurt, ora 14:00, në stadiumin “Redi Maloku”, në Fushë Krujë.
KOHA JONË SONDAZH

