Pero Pejiç: Golat i shënoj për Kukësin, titulli primar, pastaj kupa
Kukësi dhe Skënderbeu nga rivaliteti i fortë mes tyre i dhanë më tepër bukuri kampionatit shqiptar në dy sezonet e fundit. Korçarӓt ia dolën në fund të sezoneve të kaluara fitonin titullin, por këtë sezon, teksa gara po shkon drejt fundit, Kukësi dhe Skënderbeun ndajnë aktualisht dy vendet e para në kampionat, me një ndryshim. Kukësi mban vendin e parë dhe do të diskutojë një vend në finalen e Kupës së Shqipërisë, pikërisht ndaj Skënderbeut. Këtë të mërkurë, në stadiumin “Ymer Zeqiri”, do të luhet ndeshja e parë mes tyre, por pa spektatorë, për shkak se Komisioni i Disiplinës dhe më pas i Apelit në FSHF, iu ka dënuar fushën verilindorëve.
Në garë për titull, ndryshe nga sezonet e kaluara janë edhe Partizani e Tirana, çka e komplikon disi betejën për titull, ndërsa Tirana është e kualifikuar edhe në gjysmëfinale të kupës dhe do të diskutojë një vend në finalen e madhe. Kukësi duket se primar ka fitimin e titullit kampion, por trofeu i kupës do të ishte një bonos për të vulosur suksesin e këtij edicioni. Sulmuesi kroat Pero Pejiç, i cili ka provuar të fitojë titullin kampion me Skënderbeun sezonin e kaluar, duke u shpallur edhe golashënuesi më i mirë, po ecën në të njëjtën rrugë edhe këtë sezon, ndonëse ka ndërruar fanellë. Ai me fillimin e këtij sezoni kaloi në radhët e Kukësit, ku edhe është deri tani golashënuesi më i mirë i kampionatit tonë, me 24 gola. Po aq i sigurtë sa fitimi i trofeut personal, “këpuca e artë”, Pejiçshprehet i sigurtë edhe për titullin kampion.
I vetëdijshëm për peshën që ka në skuadër Pejiç vendos mbi gjithçka suksesin e skuadrës sesa atë personal dhe mendon se fitorja ndaj Skënderbeut në ndeshjen e parë gjysmëfinale të kupës do ta afronte ekipin më pranë një trofeu tjetër, ndërsa më kryesorja mbetet fitimi i titullit kampion. – “Ndeshje e vështirë për mua sepse Skënderbeu është ekip i mirë. Nuk e di për golat që mund të kem rezervuar ndaj skuadrave të mëdha, por e rëndësishme është të fitojë ekipi. Më mirë të kalojmë dhe të fitojmë Kupën sesa të shënoj unë dhe të humbasim.” Pejiç dhe goli janë në harmoni tek çdo ekip ku kroati është aktivizuar në kampionatin shqiptar, por megjithatë ai ka hasur vështirësi për t’i shënuar skuadrave pretendente të sezonit.
Duke përjashtuar një gol ndaj Partizanit, në fitoren e fundit 3-0, Pero nuk i ka shënuar ende dy ekipeve të tjera rivale, Tiranës dhe Skënderbeut. Këtë të fundit, ish-skuadra e Pejiç, do ta ketë përballë në dy sfidat gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Por ky fakt nuk duket se e shqetëson 32-vjecarin shtatlartë, që golin e vlerëson njësoj ndaj çdo kundërshtari duke shpresuar që në fund të fitojë dhe trofeun kryesor në vend. – “Nuk jam në presion. Nuk e kam problem që i shënoj Laçit dhe jo Tiranës e Skënderbeut. Për mua goli është njësoj. E rëndësishme është të marrim kampionatin, pastaj gjithçka do të jetë super. Personalisht jam i lumtur, pasi deri tani kam shënuar 24 gola”.
Kukësi i ka dhënë fund përgatitjeve për ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Skënderbeut, por pranohet se titulli kampion është objektivi kryesor dhe më pas trofeu i Kupës së Shqipërisë. E njëjta gjë vlen edhe për Skënderbeun e Tiranës, ndërsa Laçi e sheh këtë trofe si ndoshta mundësinë e vetme për të hapur një portë për në Europë. –“Kampionati dhe titulli kampion janë primar, pastaj jemi gati të luajmë për të siguruar trofetë në të dyja frontet,” – përfundon Pero Pejiç, një ndër sulmuesit e huaj më të mirë që luan në Shqipëri.
KOHA JONË SONDAZH

