EKSLUZIVE/ Ribaj tregon “sekretin” e golit: Me Dajën pata një bisedë para ndeshjes me Skënderbeun

Andi Ribaj ishte njeriu i ndeshjes në fitoren e Flamurtarit të dielën në mbrëmje ndaj Skënderbeut, pasi i hapi rrugën e fitores (2-0) me një gol të shënuar në minutën e 64-t. Sulmuesi vlonjat gjatë këtij sezoni ka vuajtur shumë mungesën e hapësirave në skuadër, teksa në pjesën e parë të sezonit Busic dhe Danilo Alves ishin dy titullarët fiks në 11-shen e trajnerit Daja. Në Fillimin e fazës së dytë, 29-vjeçari ka gjetur edhe më shumë hapësira në saj të punës shumë të mirë të bërë në stërvitje dhe në fushë sa herë i është dhënë mundësia.
Ribaj ia shpërbleu menjëherë besimin trajnerit, duke dërguar sferën në rrjetë në sfidën e tretë që nisi nga minuta e parë gjatë këtij sezoni. Në një prononcim për gazetën “Koha Jone”, Ribaj tregon dhe bisedën që pati para ndeshjes me Dajën. “Trajneri më tha: ‘Luaj, ja ku është fusha”.
Mesa duket kjo i ka sjellë edhe më shumë motivim, duke kontribuar në një sukses që mund të ndryshojë edhe sezonin e vlonjateve, të cilët po vuajnë vështirësitë e shumta jashtë fushave të lojës. “Ndihem i gëzuar, sidomos kur i shënon një ekipi shumë të fortë si Skënderbeu dhe ndër më të mirat në Superiore. Besoj se kjo fitore mund të na ndihmojë që sezoni të marrë një tjetër rrjedhë. Kemi një skuadër shumë të mirë dhe jemi në rrugën e mbarë”, tregon Ribaj.
Sulmuesi vlonjat tregohet një profesionist i vërtet, pasi rrëfen se po punon për të treguar vlerat e tij më të mira, duke harruar problemet ekonomike, të cilat sipas tij janë probleme të drejtuesve: “Ne stërvitemi normalisht, ndërkohë që për pjesën tjetër mendon presidenca. Bëjmë seancat ashtu si na i kërkon trajneri. Besoj se pas këtij goli do të kem më shumë hapësira. Do të stërvitem maksimalisht, më pas është në dorën e trajnerit”.
Flamurtari për momentin ndan vendin e pestë në tabelën e renditjes me skuadrën e Skënderbeut, pasi në 22 javë kanë grumbulluar nga 22 pikë secila.
“Objektivi këtë sezon është që të shkojmë sa më lart në renditje, ta mbyllim në vendin e katërt do të ishte diçka pozitive”, deklaroi Ribaj. /Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

