Rikthehet më në fund kanakari i Massimiliano Allegrit
Juventus pas eliminimit të papritur në Kupën e Italisë nga Atalanta po vijon përgatitjet për sfidën e radhës në kampionat. Nesër në mbrëmje bardhezintjë do të presin në shtëpi skuadrën e Parmës, në një ndeshje ku trajneri Massimiliano Allegri kërkon reagim të menjëhershëm nga skuadra, pasi në lojë janë vetëm dy trofe.
Strategu livornez ka marrë lajme të mira nga infermieria, pasi ka rikuperuar një nga futbollistët e tij “të paprekshëm”. Bëhet fjalë për Mario Mandzukic, futbollistin kroat për të cilin Allegri ka shprehur gjithmonë “dobësi”, pasi e konsideron thelbësor në skemën e tij 4-3-3. Bomberi i njohur shquhet për stilin e tij shumë agresivë, pasi shpesh herë kthehet në rolin e mbrojtësit të parë ndaj kundërshtarëve, duke thyer shumë aksione sulmuese.
Mandzukic ndërkohë ka “raporte” të shkëlqyera edhe me golin këtë sezon, pasi ka realizuar 8 gola në kampionat, 1 në dy ndeshje, duke u përshtatur më së miri me lojën e Ronaldos. Mungesa e tij është ndjerë shumë, pasi portugezi pa të duket se e ka të vështirë për të qenë i rrezikshëm në portën e rivalëve.
Mediat italiane raportojnë se sulmuesi kroat do ta nisë nga minuta e parë që në ndeshjen ndaj Parmës, duke konfirmuar edhe njëherë besimin e madh që ka trajneri Allegri ndaj tij. /Rozalb Lika-Koha Jone/

KOHA JONË SONDAZH

