Serbi-Shqipëri, nis seanca maratonë në KAS, kuqezinjtë shfaqin optimizëm

Ndeshja e 14 tetorit të vitit të kaluar , mes Serbisë dhe Shqipërisë, që u ndërpre prej incidenteve, ndodhet sot nën shqyrtimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, me seli në losanë. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, delegacioni  shqiptar iu drejtua Lozanës për të kërkuar të drejtën e mohuar nga organet e Uefa-s, pasi rezultati i asaj ndeshje iu dha Serbisë, 0-3 në tavolinë. Në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, para seancës dëgjimore, që filloi në orën 08:00, kapiteni Lorik Cana dhe trajneri Gianni de Biasi kryen dhe konsultime te fundit me trupën e avokatëve të kryesuar nga italiani Antonio Rigozzi, përpara se t’i drejtoheshin panelit të gjykatës.  I pari në radhë ishte Cana dhe më pas trajneri De Biasi. Pas tyre në radhë janë Drejtues të Federatës Serbe duke nisur nga sekretari i përgjithshëm Zoran Lakovic, shefi i sigurisë në Federatën Serbe Milivoj Mirkov si dhe shefi i personelit të sigurisë te stjuartëve në stadiumin Partizani të Beogradit, dhe kapiteni i Serbisë Branislav Ivanoviç.

Më pas të thërritur nga pala shqiptare, do të flasin para gjykatës ekspertë të të mirënjohur dhe nga më të zotët  në arenën ndërkombëtare, Profesor Sebastien Besson, i specializuar në çështjet e arbitrazhit, profesor në universitetin e Neuchatel që konsiderohet si lideri i brezit të ardhshëm të jurisprudencës zvicerane, dhe Profesor Doktor Alain Macaluso, një tjetër emër i madh i së drejtës ndërkombëtare, lektor në universitetin e Lozanës. Pas tyre para panelit do të paraqiten me pretendimet përfundimtare të dyja palët, ndërsa  Axhenda e Gjykatës së Arbtitrazhit Sportiv përcakton një seancë të gjatë që përfundon pas orës 18.00. Në delegacionin shqiptar, duke nisur që nga ekspertët, Presidenti i FSHF, Duka dhe gjithë stafi kanë shfaqur besim të madh për të fituar çështjen në Gjykatën e Lozanës edhe pse nuk pritet që organi më i lartë i drejtësisë sportive të marrë një vendim që këtë të premte.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?