Shpërthejnë tifozët e Partizanit: Lojtarë liliputë dhe drejtues të paaftë!
Pas humbjes 1-0 me Flamurtarin në “Selman Stërmasi”, tifogrupi i Partizanit, “Ultras Guerrils”, duket se janë revoltuar shumë me ekipin.
“Guerrilsat” kanë postuar një shkrim në rrjetet sociale, ku si rrallë herë kanë fajësuar lojtarët, madje i kanë kërkuar dhe llogari presidentit Demi, në lidhje me situatën e klubit.
“Lojtarë liliputë dhe drejtues të paaftë prej 5 vitesh! Po ty president? A nuk të vjen pak inat? A nuk shqetësohesh ndopak? Apo nuk ka problem, ti fjalën tënde e ke thëne për 70 vjetor. Vitet para i kemi, ke thënë. Fundja je brenda objektivit që ke caktuar!
Por neve na dhemb shpirti kur shohim se pas humbjeve lojtarët zgërdhihen sapo lënë stadiumin. Harbohen nëpër lokale dhe meqë nuk mbushin dot me pikë tabelën e renditjes, mbushin me foto facebookun dhe instagramin. Trofetë e vetme të lojtarëve dhe drejtuesve janë shishet e boshatisura dhe skedinat-çarçaf! “Kampionë” të vërtetë!
Ky sezon u dogj që pa nisur dhe përgjegjësi kanë të gjithë, por askush nuk e merr përsipër sepse nuk kanë fytyrë të na dalin përballë kur shohin që ne prapë vijojmë ta mbështesim Legjendën me gjithë shpirt!
President, ndërhy jepi drejtim, nuk mjafton ti varësh çelësat në qafë drejtuesve që vetëm fshihen, nuk mjafton ti llastosh lojtarët me paga marramendëse dhe pastaj të vazhdojnë në qejfin e tyre jashtë çdo objektivi por edhe larg paraqitjeve qe i kanë hije Partizanit …”, shkruhet postimin e “Ultras Guerrils” në faqen e tyre zyrtare në Facebook.

KOHA JONË SONDAZH

