Skënderbeu një leksion për Superligën, ja 5 shitjet për “kopertinë”
Kategoria Superiore është rritur cilësisht në sezonet e fundit. Një tregues i qartë është edhe transferimi i fundit i Kristal Abazajt te skuadra e Anderlehtit. Sulmuesi i Luftëtarit, i cili firmosi në janar për ekipin Skënderbeut, firmosi dje kontratën me klubin e madh belg. Tashmë shumë futbollistë kanë gjetur një mënyrë për të bërë një hap të rëndësishëm në karrierën e tyre edhe duke luajtur në kampionatin shqiptar. Gjithçka është meritë e Skënderbeut që ka ndryshuar trendin e merkatos në Shqipëri dhe tanimë lojtarët e rëndësishëm të kampionatit shqiptar nuk largohen për shifra mediokër ose me parametra zero jashtë vendit. Në vitet e fundit klubi i Ardjan Takajt është kthyer në një trampolinë për të paktën 5 futbollistë për t’u transferuar në një ekip evropian.
1. Piter Olainka ishte i pari futbollist që u largua nga Kategoria Superiore për një shifër rekord pasi nga transferimi i tij te Gent, korçarët përfituan rreth 1,1 milionë euro. Sulmuesi spikati në Europa League duke tërhequr vëmendjen e ekipit të njohur.

2. Vetëm disa ditë pas largimit të Olainkas, Skënderbeu shiti në Rusi një tjetër lojtar të spikatur, Bernard Berishën për rreth 600 mijë euro te Anzhi në Premier Leaguen ruse. Mesfushori i talentuar po kalonte një formë të shkëlqyer, duke qenë në atë periudhë një nga më të mirët me shpërthime e tij.

3. Agim Zeka ishte i treti i larguar. Edhe pse talenti i kombëtares Shpresa kishte luajtur fare pak me bardhekuqtë, falë dyshes Haris Fakiç-Shkumbin Qormemeti, Zeka u transferua te Lilë në Francë për 300 mijë euro. Edhe pse në një moshë të re, promovim i tij, erdhi në saj të paraqitjeve të mira te të rinjve dhe në disa ndeshje ku u aktivizua.

4. Në verë menjëherë pasi siguruan kualifikimin në grupet e Europa League duke kaluar 4 ture dhe duke bërë historinë, korçarët u privuan nga shërbimet e Liridon Latifit i cili u transferua në Hungari te skuadra e Puskas Akademia. Nga shitja e Latifit, Skënderbeu përfitoi 1 milionë euro.

5. Kristal Abazaj ishte i fundit lojtar që la Skënderbeun për të kaluar në një klub të rëndësishëm europian. Edhe pse nuk u aktivizua aspak te korçarët, bardhekuqtë përfituan 750 mijë euro nga shitja e një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit shqiptar. Abazaj nuk është shitja më e shtrenjtë e Skënderbeut kjo edhe për faktin se bardhekuqtë nuk kontribuan aspak në rritjen e tij si futbollist, megjithatë është ndoshta shitja më e bujshme e Skënderbeut pasi duket e pabesueshme kur e mendon që një lojtar që në 2 sezonet e fundit ka luajtur për një skuadër modeste si Luftëtari dhe që prej sezonit të ardhshëm do të mbajë veshur fanellën e gjigantëve belgë të Anderleht.

KOHA JONË SONDAZH

