Sonte luhet “El Clasico”, ja bilanci i përballjeve mes Barcelonës dhe Realit
Sonte në mbrëmje do të luhet “El Clasico” mes Barcelonës dhe Realit të Madridit. Kjo ndeshje konsiderohet edhe si përplasja e titanëve të futbollit spanjoll e atij evropian dhe këtë mbrëmje e gjithë bota do të mbajë frymën para saj.
“El Clasico” do të ndiqet prej më shumë se 500 milionë personave dhe do të transmetohet në 192 vende te botës. Sfida e sotme do të jetë e Andres Iniestës. Kapiteni i Barcelonës, pas 22 vitesh do të lërë skuadrën kampione të Spanjës dhe kjo do të jetë “El Clasico” i tij i fundit.
Barcelona do të kërkojë që me këtë ndeshje të mbajë gjallë shpresat për të mbyllur kampionatin pa asnjë disfatë për herë të parë në historinë e saj. Në krahun tjetër Reali i Madridit vjen në Camp Nou për të ruajtur pathyeshmërinë e tij në këtë impiant ndaj rivalëve historikë, diçka që zgjat prej 3 vitesh.
Kjo e kësaj mbrëmje do të jetë përballja e 238 mes Barcelonës dhe Realit të Madridit. Në 237 sfidat e mëparshme skuadra merenges ka një avantazh të lehtë me 95 fitore kundrejt 93 të katalanasve, ndërsa 49 ndeshje në barazim. Për sa u përket ndeshjeve në Camp Nou, bilanci anon nga katalanasit me 43 fitore kundrejt 20 të Los Blancos e 19 barazime.
Në total, Barcelona dhe Reali i Madridit kanë shënuar 786 gola në “El Clasico”, 399 madrilenët e 387 Barcelona.

KOHA JONË SONDAZH

