Stadiumi i Tomorit pa energji, OSHEE i pret dritat pas borxheve të pashlyera
Aksioni ndaj debitorëve të energjisë elektrike ka prekur edhe futbollin. Vazhdon të mbetet i pazgjidhur problemi i mungesës së energjisë elektrike në stadiumin “Tomori” të Beratit. Nga sa mësohet, po shikohet edhe mundësia e gjetjes së zgjidhjeve të përkohshme deri në zgjidhjen finale të këtij problemi, që është pagesa e debisë që klubi ka kundrejt OSHEE-së. Prej kohësh stadiumit i janë prerë dritat, çka do të thotë se lojtarët e Tomorit dhe të ekipit kundërshtar nuk mund të bëjnë as dushe, pas ndeshjeve. E paimagjinueshme për një klub futbolli, me histori si Tomori, që përfaqëson një ndër qytetet më të mëdha të vendit tonë, Beratin, si dhe pretendon këtë sezon ngjitjen në Kategorinë Superiore.

