Superiore, Java e 29-të, Mirel Josa: Me Laçin, edhe tetë finale drejt trofeut
Skënderbeu përgatitet për një nga finalet e mbetura të këtij sezoni, pasi java 29-të e Kategorisë Superiore e vendos para transfertës së vështirë me Laçin. Kampionët kanë fituar tre ndeshjet e fundit në fushën kurbinase për kampionat, por ndalesa në shtëpi në fazën e tretë ishte një sinjal se kësaj radhe vështirësia e një suksesi është më e madhe. Trajneri Mirel Josa vlerëson kundërshtarin për lojën e treguar në fushë teksa mban skuadrën të karikuar për të mos i besuar historisë së përballjeve të fundit në Laç. – “Kemi një kundërshtar të vështirë përpara, pasi Laçi me lojën e zhvilluar ka treguar vlerat e veta. Në futboll nuk ka histori, pasi kanë mbetur edhe 8 javë deri në fund. Aktualisht do mendojmë vetëm për Laçin dhe më pas të përqendrohemi tek ndeshjet e tjera, sidomos tek Kupa. Kundërshtarët tanë presin që ne të ndalemi, por do të synojmë fitoren.” Skënderbeu është në garë për të fituar të dy trofetë këtë sezon, teksa trajneri Josa përmend shkarazi dhe sfidën e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, ndaj Kukësit. Numri një i stoli të kampionëve kërkon përqendrimin tek kjo sfidë. Ndeshjet e Kategorisë Superiore, për shkak të takimit të kombëtares, rikthehet pas ndalesës një javore. –“Nuk kemi luksin të ruajmë energjitë, pretendojmë të paraqitemi mirë në të dyja takimet por në fillim është Laçi. Të gjitha skuadrat janë të favorizuara nga ndalimi i kampionatit. Edhe ne na ka shërbyer për t’u karikua. Mos harrojmë se nga java e ardhshme do të kemi ngjeshje të kalendarit.” Kur kanë mbetur 8 javë përpara fundit ekipet pretendente për titull mbeten 4 skuadra. Mirel Josa mendon se Skënderbeu kërcënohet nga çdo skuadër e kampionatit që ka objektiva për të arritur. “Skuadrat që kërcënojnë Skënderbeun është ajo që me të cilën do të përballemi në ndeshjen e radhës. Të gjitha ekipet kanë pretendime dhe mos harrojmë se edhe Apolonia është e rrezikshme. Të gjithë duan t’i marrin pikë Skënderbeut por ne duhet të jemi të përgatitur t’i përgjigjemi çdo kundërshtari.” Skënderbeu vjen në përballjen me Laçin pas 5 fitoreve radhazi në kampionat. Një sukses në fushën e vështirë ndaj Laçit e sjell më pranë titullin e 5-të radhazi.
Porta, Edvan Bakaj i ka ndryshuar “çelësin” e suksesit?
Bardheblutë pas humbjes në derbi me Partizanin më 13 mars pësuan një tronditje në ambiciet e tyre për titull, ndaj edhe skuadra ka pësuar disa ndryshime, të cilat janë vënë re edhe në rezultatet e arritura. Në dy javët pasardhëse titullari i portës së 24 herë kampionëve ishte Edvan Bakaj, që ka ruajtur të paprekur portën e tij ndaj Teutës dhe Apolonisë, kjo për faktin se Stivi Frashëri pas gafave me Partizani është i pezulluar. Në sfidën e luajtur në “Niko Dovana”, Bakaj ka rezultuar deçiziv me ndërhyrjet e tij, ashtu si dhe në Fier një javë më pas. Porta e paprekur ka qenë pikënisja e pretendimeve të Tiranës, që deri në fund sheh 8 finale për të luajtur, duke lënë mënjanë impenjimet në Kupën e Shqipërisë. Matematika i lejon bardhebluve të shpresojnë për të arritur tek titulli dhe entuziazmi është rikthyer tek skuadra e Maganit. Në 180 minutat e aktivizuara këtë sezon portieri 27-vjeçar i Tiranës nuk ka pësuar asnjë gol, por megjithatë janë regjistruar dy barazime ndaj Laçit në shtëpi dhe Teutës në Durrës, si dhe fitorja e fundit në Fier
Kategoria Superiore
Java e 29-të – 4 prill
Elbasani – Kukësi 13:00
Partizani – Apolonia 17:00
Vllaznia – Teuta 13:00
Laçi – Skënderbeu 14:00
Flamurtari –Tirana 17:00
Klasifikimi
1 Skënderbeu 60
2 Kukësi 58
3 Partizani 56
4 Tirana 54
5 Laçi 50
6 Flamurtari 34
7 Vllaznia 30
8 Teuta 23
9 Apolonia 16
10 Elbasani 13
KOHA JONË SONDAZH

