Superliga nesër luan javën e 32-të, sfida vendimtare për Europën dhe mbijetesën

Kategoria Superiore luan nesër të gjitha ndeshjet e javës së 32-të, të ndara në dy fasha orare të ndryshme. Skënderbeu synon sigurimin edhe matematikisht të titullit, ndërkohë që gara për një vend në Europë dhe në zonën e rënies nga Kategoria janë dy dilemat më të mëdha që rezervon ky fund sezoni në futbollin shqiptar.

Kampionët ende në fuqi, Kukësi presin Lushnjën e vendit të fundit. Skuadra e Pakult refuzoi që të “shkurorëzohej”në përballjen direkte javën e kaluar, tashmë deri në fund duhet të konfirmohen në vendin e dytë, por gjithashtu të përfitojnë ndonjë element nga të rinjtë. Ndaj Lushnjës, verilindorët do të kenë dy mungesa të rëndësishme, pasi qendërmbrojtësi Albi Alla dhe mesfushori Elton Kale kanë plotësuar numrin e 4 kartonëve të verdhë. Dy lojtarëve të skualifikuar i shtohet edhe kapiteni Ylli Shameti, i cili vijon të jetë i dëmtuar dhe ndaj Lushnjës trajneri austriak nuk ka dëshirë të rrezikojë me aktivizimin e tij të parakohshëm. Në këtë ndeshje do të ketë hapësira edhe për futbollistët që janë aktivizuar më pak të Kukësi.

Laçi-Skënderbeu është si një përsëritje e fazës së dytë, pasi sërish do të luhet pa tifozë. Kurbinasit janë të destinuar për të fituar ndaj atyre që konsiderohen si kampionët e ardhshëm të vendit, pasi çdo rezultat tjetër i nxjerr ata nga lufta për zonën europiane. Për më tepër që kjo është një provë gjenerale në vigjilje të finales së Kupës, që do të luhet më 27 Maj. Trajneri Gentjan Mezani duhet të bëjë edhe këtë duel pa brazilianin Maicon Eskuerda, i cili vijon fazën e rikuperimit pas operacionit në menisk. Në krahun tjetër trajneri Ilir Daja nuk ka probleme në formacion dhe pritët që të luajë me formacionin më të mirë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në fazën e tretë, Kamza-Luftëtari ishte një duel për Europën, por tashmë gjërat kanë ndryshuar. Vendasit luftojnë për të mbijetuar në elitën e futbollit, dhe përballë kanë një ndër ekipet më në formë. Gjirokastritët paraqiten në këtë sfidë pas pesë rezultateve pozitive radhazi, duke regjistruar katër fitore dhe vetëm një barazim. Mungesa e Abazajt, te Kamza nuk shërben për të dhënë qetësi, sepse Luftëtari mbetet i frikshëm në fazën sulmuese me Dejvi Bregun, Rrocën dhe Shkurtajn. Katër pikët e grumbulluara në dy ndeshjet e fundit e kanë rritur disi moralin e ekipit të drejtuar nga Julian Ahmataj, që vinte nga katër humbje radhazi.

Swiss Digital Mobile Reklama

Partizani luan këtë fundjavë shansin e fundit për një vend në Europë, teksa përballë ka Teutën, e cila lufton për të mbijetuar në Superiore. Skuadra e Klevis Dalipit duhet të grumbullojë sa më tepër pikë në 5 ndeshjet e mbetura të kampionatit, për të shpëtuar në një vend në Europa League. Lajme të mira ka edhe nga infermieria, pasi Idriz Batha dhe mesfushori Jasir Asani iu bashkuan pjesës tjetër të grupit në stërvitje dhe do të jenë të gatshëm të zbresin në fushë kundër Teutës. Ekipi durrsak ndërkohë nuk ka asgjë për të humbur dhe do të tentojë që të marrë pikë.

Vllaznia sfidon Flamurtarin, në një ndeshje ku fitorja është detyrim. Vlonjatët kanë shansin e fundit për të shpresuar në një vend në zonën europiane. Matematika ua lejon kuqezinjve të besojnë, por te Flamurtari e dinë shumë mirë se për të luajtur në ndeshjet ndërkombëtare duhet shumë sforco dhe dëshirë dhe sigurimi i një “bilete” nuk do të jetë i lehtë. Ekipi i Ernest Gjokës ka treguar këtë sezon se kur bashkohen mund të marrin edhe fitore të rëndësishme.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?