“Tifozat Kuq e Zi” reagojnë për humbjen: Kërkojmë llogari, ne nuk harrojmë!
Shqipëri pësoi një humbje shokuese 0-1 nga Lituania. Kuqezinjtë zhvilluan një lojë të dobët, edhe pse kundërshtari ishte në një nivel shumë të ulët. Së fundmi, ka ardhur edhe një reagim nga “Tifozët Kuq e Zi”, të cilët janë gjithnjë pas kombëtares duke e përkrahur atë.
Nëpërmjet faqes së tyre zyrtare në rrjetet sociale, ata janë të indinjuar për mos-angazhimin e treguar në fushë nga ana e futbollistëve të kombëtares, ndërsa nuk ia dalin të shpjegojnë se si ndryshoi ekipi në atë formë, nga ndeshja e zhvilluar në Bjellorusi në një ekip pa gjak dhe dëshirë në Air Albania.
Sakaq, nuk lënë pa hedhur edhe një “thumbim” për Roshin, i cili këto ditë u martua. “Merrni përgjegjësitë pasi ne nuk harrojmë”, ishte thelbi i mesazhit të TKZ.
“Dashurinë për Kombëtaren nuk na e mohon askush, as rezultatet e as mos-impenjimet e protagonisteve që zbresin në fushën e lojës, apo atyre që sot mund të kenë marrë përgjegjësi për të administruar me ekipin.
Këtë dashuri e kemi dëshmuar edhe shumë herë të tjera duke mos rreshtur për asnjë moment së përkrahuri ekipin kombëtar.
Ne do ta përkrahim gjithmonë e gjithnjë, pavarësisht rezultatit dhe dëshirës për të fituar, por edhe nuk do rrijmë duarkryq, por kërkojmë përgjegjësi e llogari, ndoshta jo shumë për humbjen sesa për mos-angazhimin dhe ndjesinë e peshës së fanellës kuq e zi dhe asaj që ajo përfaqëson për neve.
E pafalshme!!!
S’ka rëndësi rezultati ka rëndësi transformimi nga një ekip i mirë para 96 orëve në Minsk, në një ekip pa gjak e pa dëshirë për lojë në Tiranë.
Aspak profesionale mungesa e disiplinës nga lojtarët, dhe atyre që ju japin leje, që vetëm një natë me herët marrin pjesë nëpër festa, e të njëjtit mundohen të fshihen pas fatit.
Merrni përgjegjësinë, pasi ne nuk harrojmë
Nëse pesha e asaj fanellës është e rëndë, atëherë tërhiquni, pasi nuk lejojmë tallje me diçka që për neve konsiderohet e shenjtë!”.
KOHA JONË SONDAZH

