Tirana kërkon më tepër fat, Shpëtim Duro: Ky muaj vendimtar për titullin
Kategoria Superiore rikthehet këtë të shtunë me ndeshjet e javës së 29-të, me 4 skuadra pretendente në garë për trofeun final. Janë edhe 4 ndeshje të kalueshme në letër për rivalët të cilët më pas do të nisin një tur force me përballje direkte. Mes tyre qëndron Partizani që nga vendi i tretë do të kërkojë të sigurojë suksesin e katërt radhazi këtë të shtunë në “Qemal Stafa”, ndaj Apolonisë. – “Apolonia edhe pse është shumë pranë rënies nga kategoria mbetet një kundërshtar që duhet vlerësuar maksimalisht. Ata janë një skuadër që luajnë pa shumë presion dhe kanë elementë të mirë në organikën e tyre,” – theksoi Duro. Trajneri i Partizanit nuk harroi të uronte kombëtaren Shqiptare për suksesin e arritur ndaj Armenisë. Sakaq, 55-vjeçari i stolit kryeqytetas, u përqendrua te forma e ekipit të tij, duke e pranuar se pushimi i imponuar nga ndeshjet eliminatore ka ndikuar pjesërisht te skuadra e tij ku disa lojtarë nuk gëzojnë formën optimale. Pas testit të lehtë në letër kundër Apolonisë, Partizani do të luajë dy sfida direkte për titullin kundër Skënderbeut dhe Kukësit. Duro e pranon që ky muaj do të jetë vendimtar për të ardhmen e sezonit. Në vijim, trajneri i të kuqve shtoi se fakti që tre rivalët e tjerë do të luajnë edhe në Kupë nuk e favorizon ekipin e tij. Ai ritheksoi gjithashtu besimin që ka te qendërsulmuesi Stevan Raciç duke theksuar se lojtari serb i ka plotësuar të gjitha pritshmëritë, ndërsa kritikoi zërat që e konsiderojnë një trajner mbrojtës, duke u shprehur se objektivi i tij i vetëm është fitorja.
Gentjan Muça: Titulli i arritshëm, kërkohet edhe fat
Çdo ndeshje është një finale për ekipin e Tiranës në garë për titull. Bardheblutë do të presin këtë javë Flamurtarin në kryeqytet. Një kundërshtar, të cilin Gentian Muça thotë se Tirana e vlerëson, edhe pse nuk ka objektiv. – “Për ne çdo ndeshje është e rëndësishme dhe e vlerësojmë maksimalisht. Kjo vlen dhe për Flamurtarin, pavarësisht emrave që do të luajnë. Nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar, pasi te fitorja arrihet vetëm duke qenë i ndërgjegjshëm për kundërshtarin që ke përballë,” – theksoi ai. Fakti që në mesjavë bardheblutë do të luajnë edhe në Kupë ndaj Laçit nuk e shpërqendron Muçën nga objektivi kampionatit. – “Tani kemi ndeshjen e kampionatit dhe do të mendojmë fillimisht për të. Për Kupën do të fillojmë të mendojmë pas fitores me Flamurtarin.” Në ndryshim nga shokët e tjerë të skuadrës, Gentian Muça e pranon se për të arritur te titulli nevojiten jo vetëm fitoret por dhe pak fat. – “Sigurisht që ne shpresojmë të fitojmë sfidat që kemi përpara përballjeve me rivalët direkt, më pas të shohim si do të shkojnë ndeshjet direkte. Për të arritur te titulli duhet dhe pak fat, pasi shpresojmë që rivalët tanë të ndalen diku.” Në fund 27- vjeçari bën dhe një batutë kur pyetet se sfida me Flamurtarin do të jetë e veçantë për të,duke qenë se ka luajtur në të kaluarën me kuqezinjtë. – “Për mua është ndeshja e 3-të që luaj kundër Flamurtarit në këtë sezon dhe nuk besoj se do të jetë më e veçantë se ato paraardhëse”. Këtë sezon Muça deri tani ka luajtur 26 ndeshje në kampionat, duke shënuar dhe 3 gola.
Kategoria Superiore
Java e 29-të – 4 prill
Elbasani – Kukësi 13:00
Partizani – Apolonia 17:00
Vllaznia – Teuta 13:00
Laçi – Skënderbeu 14:00
Flamurtari –Tirana 17:00
Klasifikimi
Skënderbeu 60
Kukësi 58
Partizani 56
Tirana 54
Laçi 50
Flamurtari 34
Vllaznia 30
Teuta 23
Apolonia 16
Elbasani 13
KOHA JONË SONDAZH

