Tribuna VIP prodhon dhunë. Kur politikanët rrahin…
Dhuna në futboll, vjen edhe nga tribuna VIP, e në mënyrë specifike nga njerëz me pushtet politik. Gjestet e ndryshme dhe të shëmtuara të ish-deputetit të PD-së, Dashnor Sulaj, i cili pas skenave të turpshme, ndryshe nga protagonistët e tjerë pati kurajon të kërkojë falje publike.
“Sigurisht nuk japim imazh të mirë, këtë duhet ta pranojmë publikisht. Premtoj dhe të jeni të sigurtë që reagimet e mëtejshme do të jenë shumë herë më pozitive sesa ky rast”, shprehej Dashnor Sulaj, ish-deputet i PD-së, më 15 shkurt të vitit 2010.
Kryetarët e bashkive kanë qenë gjithashtu shpesh protagonistë të dhunës, duke arritur të godasin madje edhe trajnerë. I tillë është rasti kur Nevil Dede, ish-trajner i Tiranës, u godit nga kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi. ”Në atë moment po hyja tunelin për në dhomat e zhveshjes. Aty u ndesha me një grup prej 10-12 vetësh. I pari erdhi kryetari i bashkisë dhe më goditi”, shprehej Nevil Dede.
Ngjarja e ndodhur rreth 5 vite më parë përfundoi deri me kallëzime penale e shoqërime në polici. ”Protagonistë kryesorë te dhuna e çdo gjë që ndodh në futboll, ndodhin nga drejtuesit kryesorë të këtyre klubeve”, shprehej Sulejman Mema, përfaqësues i Shoqatës Rajonale Tiranë.
Një ngjarje e tillë e turpshme ka qenë edhe goditja e Shpëtim Duros, 7 vite më parë kur ai mbante postin e trajnerit të Besës së Kavajës. Atëherë, ai u godit nga kryetari i Bashkisë së Peqinit, Ilir Rrushi. “Në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjes po priste. Unë nuk e njihja që ishte kryebashkiaku. Më doli përballë e më goditi me grushte. Kam rënë në tokë pa ndjenja”, theksonte asokohe Shpëtim Duro.
Shpëtim Gjika, dikur president i skuadrës së Flamurtarit, rezulton mes listës së politikanëve që kanë demostruar në sport, prepotencën e imunitetit prej politikani, duke kontestuar me një parakalim të çuditshëm në fushë vendimet e gjyqtarit Cjapi, në ndeshjen mes Flamurtarit dhe Besës.
Goditja e një arbitri tjetër futbolli daton 10 vite më parë, kur deputeti Hajrulla Paturi mori përsipër dhunën e shfaqur në pamjet amatore. “E vërteta në dritë të diellit është se gjyqtarin e kam goditur unë dhe nuk është goditur nga asnjë futbollist tjetër”, do të shprehej ish-deputeti i PD-së.
Ngjarja më e fundit është ajo e pak ditëve më parë, kur deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe goditi me çakmak gjyqtarin e ndeshjes Partizani Skënderbeu, sipas vet dëshmisë së arbitrit dhe Shoqatës së Arbitrave pranë FSHF-së.
“Kur po i drejtoheshim dhomave të zhveshjes, në pjesën e tunelit, edhe pse isha i rrethuar nga forcat e sigurisë në atë moment, pashë një objekt, që më pas m’u tha se ishte një çakmak a diçka e tillë. Më komunikohet nga asistentët e mi dhe identifikohet me emrin e zotërisë në fjalë”, u shpreh Koçi. /Top Channel/
KOHA JONË SONDAZH

