Triumfi i Ferrarit, Massa: Falë menaxhimit të mirë të gomave
Rikthimi i Ferrarit te fitorja në një Çmim të Madh të Formula 1, ishte lajmi i madh i garës së dytë të sezonit që u zhvillua në cirkuitin e Sepang në Malajzi. Por sipas ish pilotit të skuadrës italiane brazilianit Felipe Massa që aktualisht është pjesë e Williamsit, faktori kryesor në këtë përmirësim të ndjeshëm të Ferrarit janë gomat. Massa mendon se dy pilotët e kokëkuqes Vettel dhe Raikkonen ditën t'i menaxhonin në mënyrën më të mirë gomat duke i konsumuar sa më pak ato. Në Malajazi Massa dhe Williams nuk ishin të aftë të rivalizonin me Ferrarin pasi braziliani u pozicionua në vendin e 6-të ndërsa shoku i tij i skuadrës finlandezi Valteri Bottas u rendit i 5-ti. – “Te Ferrari kishin një makinë shumë më të mirë në dispozicion në garën e Malajzisë, prandaj edhe u pozicionuan shumë më lart se në garën e parë të sezonit. Ata i përdorën gomat në mënyrën më të mirë të mundshme. Në Malajzi gjithçka gjatë garës varet nga mënyra se si i menaxhon gomat, në të kundërt Ferrari do të ishte makina më e shpejtë edhe në provat zyrtare”. Vitin e kaluar Williams zhvilloi një kampionat pozitiv teksa në fundin e sezonit kishte makinën e dytë më të shpejtë pas Mercedesit, me Ferrarin dhe Red Bullin që ishin më dobët se skuadra angleze, por këtë sezon duket se situata ka ndryshuar edhe pse Felipe Massa është optimist për të ardhmen. – “Ferrari ka ndërtuar një makinë shumë më të mirë. Ata janë përmirësuar së tepërmi dhe këtë sezon kanë shanse reale të fitojnë kampionatin Botëror si për konstruktorë ashtu edhe për pilotë. Gjithsesi edhe ne te Williamsi jemi të kënaqur me makinën që skuadra na ka vënë në dispozicion. Unë mendoj se pas disa garash do t'i kemi mundësitë të rivalizojmë me Mercedesin dhe Ferrarin.”
KOHA JONË SONDAZH

