U-19/ Preka dhe Qefalija për sfidat ndaj Izraelit: Të jemi gati për eliminatoret!
Kombëtarja Shqiptare e 19-vjeçarëve ka nisur që prej ditës së hënë grumbullimin për dy ndeshjet që skuadra do të zhvillojë kundër Izraelit në datat 3 dhe 5 shtator në Tiranë, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Kuqezinjtë kanë zhvilluar disa ndeshje miqësore që kur trajneri Armando Cungu ka marrë drejtimin e skuadrës, ndërsa edhe këto ndeshje do t’i shërbejnë ekipit për të forcuar sa më shumë grupin. Për të folur në lidhje me këto dy sfida, dy futbollistët e Kombëtares, Marcelino Preka dhe Klevi Qefalija kanë dalë ditën e sotme në një konferencë për mediat.
Për Prekën, edhe pse nuk është hera e parë që grumbullohet me Kombëtaren, sërish shprehet i emocionuar dhe i lumtur për ftesën nga ekipi Kombëtar. Ai shpreson se në këto dy ndeshje skuadra t’ia dalë me sukses, teksa flet edhe për synimet për të ardhmen dhe marrëdhënien me grupin e Kombëtares.
Grumbullimi me ekipin: “Ftesa nga Kombëtarja është thirrja më e bukur për një sportist. Falënderoj stafin për besimin që më ka dhënë. Jam shumë i emocionuar që ndodhem këtu.”
Objektivi i skuadrës për këto dy sfida: “Kemi dy ndeshje ndaj Izraelit, kemi zhvilluar edhe shumë miqësore. Grupi është, ekipi është dhe shpresojmë t’ia dalim me sukses. Objektivi ynë është të bëhemi një grup i fortë për eliminatoret e Kampionat Europian.”
Marrëdhënia me stafin dhe lojtarët: “Me çunat dhe stafin e Kombëtares kemi një lidhje shumë të fortë. Rrimë shumë bashkë me njëri-tjetrin. Motivohemi shumë dhe kur vijnë lojtarë të rinj, i mbajmë shumë afër. Mendoj se duke qëndruar të bashkuar, do bëhemi edhe më të fortë.”
Synimet për të ardhmen?: “Shpresoj që të kap majat e Europës”.
Edhe Klevi Qefalija, mesfushori i talentuar, disa herë pjesë e Kombëtares U-19, u shpreh i lumtur që është edhe kësaj herë pjesë e grumbullimit. Ai foli për objektivat e ekipit për këto dy ndeshje, marrëdhënien me stafin kuqezi si dhe synimet për të ardhmen.
Ftesa nga Kombëtarja: “Jam shumë i lumtur për ftesën pasi për çdo lojtar është kënaqësi e madhe të luash për Kombëtaren dhe ndihem i vlerësuar që jam pjesë e këtij grumbullimi dhe që mora ftesën e radhës.”
Objektivat e skuadrës për ndeshjet ndaj Izraelit: “Objektivat e ekipit jo vetëm për këto dy ndeshje, por edhe për ndeshjet e tjera në vijim janë të krijojmë një grup sa më të fortë, të bëjmë paraqitje dinjitoze në kualifikueset e Kampionatit Europian dhe pse jo të marrim dhe rezultate më të mira, pasi nuk kemi ndrojtje përballë asnjë kundërshtari që do të luajmë.”
Marrëdhënia me stafin dhe shokët e ekipit: “Kemi një marrëdhënie shumë të mirë, pavarësisht se luajmë në klube të ndryshme, gjithmonë kemi një harmoni ne grup.”
Synimet për të ardhmen?: “Të bëjmë një paraqitje dinjitoze në Kampionatin Europian ndërsa në aspektin personal është të luaj me ekipet më të mëdha të Europës. Si dhe të jem pjesë e Kombëtares së madhe, është një ëndërr që shpresoj të bëhet realitet.”
KOHA JONË SONDAZH

