U mundëm ndaj Norvegjisë, por Shqipëria fiton 2 vende në renditjen e FIFA-s
Shqipëria u mund 0-1 në miqësoren e zhvilluar në “Elbasan Arena” ndaj Norvegjisë. Gjithsesi kombëtarja jonë ka fituar dy pozicione në renditjen më të fundit të kombëtareve, publikuar nga FIFA, duke e parë veten tashmë në vendin e 56.
Kjo ngjitje me dy vende nuk vjen si pasojë e performancave të mira të Shqipërisë, por zbritja “drastike” e kombëtareve të tjera që ishin mbi të, si Japonia, që ka zbritur me 5 vende, si dhe Bolivia, me 10 vende. Sa i përket Kosovës, dy fitoret në miqësoret e muajit mars, 1-0 ndaj Mozambikut dhe 2-0 ndaj Burkina Fasos, kanë bërë që kombëtarja e dytë e shqiptarëve të ngjitet me 24 pozicione, duke u ndalur në vendin e 152-të.
Renditja kryesohet nga Gjermania me 1533 pikë, ndjekur nga Brazili me 1384 pikë. Belgjika është ngjitur në vendin e tretë, duke zbritur prej andej Portugalinë, ndërsa në vendin e pestë ka rënë edhe Argjentina. 10-shja e parë plotësohet nga Zvicra, Franca, Spanja, Kili dhe Polonia. Jashtë ka mbetur Anglia, e vendit të 13, si dhe Italia, e vendit të 20.


KOHA JONË SONDAZH

