VIDEO/ Penalltia e VAR-it nxori jashtë River Platen, Lanus në finale të Copa Libertadores
Për herë të parë në histori Lanus siguroi një vend në finalen e Copa Libertadores.
Lanus realizoi një përmbysje të pabesueshme përballë River Plate, që ishte me një këmbë në finale, pasi kryesonte 0-2, por 4 gola të vendasve përmbysën jo vetëm shifrat në këtë 90-minutësh, por dhe humbjen 0-1 të ndeshjes së parë.
Sistemi i arbitrazhit video “VAR”, i përdorur për herë të parë në futbollin e Amerikës së Jugut në Copa Libertadores rezultoi me kritika të mëdha.
Pas ndeshjes, River Plate kërkon përsëritjen e ndeshjes për shkak se sipas tyre VAR-i ka gabuar në vendim për të akorduar penallti.
Çfarë ndodhi gjatë ndeshjes?
River Plate e nisi mjaft mirë takimin, duke shënuar në minutën e 18-të me Stoccon. 5 minuta më pas u duk se miqtë siguruan finale, pasi shënuan dhe golin e dytë me anë të Montielit, por goli i Sand në fundin e pjesës së parë i dha shpresë Lanusit.
Publiku ishte një ndihmë e madhe për Lanus që shënoi sapo filloi pjesa e dytë, ndërsa në të 62-tën Acosta ngriti shifrat në 3-2.
Nëse ndeshja do të përfundonte me këtë rezultat, takimi do të shkonte në shtesë.
Gjithcka shkoi më së miri për Lanus që në minutën e 68’ falë ndihmës së sistemit VAR fitoi një 11-metërsh e cila u shndërrua në gol nga Silva.
Deri në fund rezultati qëndroi i pandryshuar me shifrat e përgjithshme 4-3 dhe në këtë mënyrë Lanus siguroi një vend në finalen e madhe të Copa Libertadores. /syri.net
©
KOHA JONË SONDAZH

