Vllaznia fiton Kupën e Shqipërisë në minifutbollin e femrave (VIDEO)
Pasditen e së premtes, në qytetin e Shkodrës është zhvilluar finalja e Kupës së Shqipërisë, midis Vllaznisë dhe Tirana AS në minifutboll. Kompeticion që organizohet për herë të parë nga Federata Shqiptare e Futbollit me pjesëmarrjen e tetë skuadrave të kampionatit të femrave, në pushimin ndërmjet dy fazave të garës së tyre.
Vllaznia e femrave e ka merituar këtë Kupë, përmes një loje spektakolare duke fituar me rezultatin 10-1. Golat u shënuan nga Megi Doci plot katër herë ‘3, ’14, ’20, ’21, Sara Maliqi ’25, Esi Lufo ’27, Esmeralda Franja ’32, ’43, Aleksandra Popovic ’36, Jehona Shala ’50 dhe Mesuare Begolli për Tirana AS, në minutën e 15-të.
Ardiola Raxhimi, portierja e Vllaznisë, pas ndeshjes u shfaq e emocionuar për suksesin e arritur: “Ndihemi shumë të emocionuara, për ne është bërë traditë të fitojmë kupa. Kjo ishte ndryshe pasi u luajt në futbollin e vogël. Ky rezultat për ne ishte një vlerësim dhe shpresoj që të kemi ecuri pozitive edhe në të ardhmen. Kam një mesazh edhe për prindërit të cilët të angazhojnë fëmijët e tyre e sidomos vajzat në sportin e bukur të futbollit.”
KOHA JONË SONDAZH

