Vllaznia-Partizani, të kuqtë duan t’i prishin debutimin Gjokës

Askush nuk mund të parashikonte, që pas vetëm gjashtë javëve kampionat, Partizani të kishte plot 8 pikë më pak se ekipi kryesues i Ligës Superiore, Skënderbeu, ndoshta as tifozët më fanatikë të klubit korcar. “Të “kuqtë” po provojnë të ringrihen, teksa numërojnë dy fitore rresht, megjithatë ndeshja e radhës në Shkodër përbën një test të rëndësishëm për skuadrën e Iulianos, duke patur parasysh rivalitetin historik mes dy klubeve.

Pavarësisht se rrezikoi seriozisht deri në çastet e fundit për të rënë një kategori më poshtë Vllaznia ndikoi ndjeshëm në titullin e edicionit të kaluar, duke e çuar në plot 24 numrin e viteve pa kampionat për klubin kryeqytetas. Partizani barazoi 3 nga 4 përballjet e sezonit të kaluar, sidoqoftë edhe këtë herë gjërat pritet të jenë sërish të vështira, sepse vendasit po përjetojnë momente të vështira, pas dorëheqjes së Armando Cungut.

Drejtuesit e klubit shkodran i kanë besuar ekipin trajnerit që fitoi titullin e sezonit të kaluar me Kukësin, Ernest Gjokës dhe 47-vjecari do të bëj çmos që të përfitojë nga motivimi që përcjell natyrshëm rokada e trajnerëve në drejtim. Mbi të gjitha Gjoka ka detyrën e vështirë për të gjetur zgjidhje në fazën sulmuese, pasi “kuqeblutë” kanë shënuar vetëm 3 gola në gjashtë ndeshjet e këtij edicioni, për më tepër Vllaznia numëron një muaj e gjysmë pa fitore, në kampionat.

Swiss Digital Desktop Reklama

Dy ekipet ndahen nga vetëm 3 pikë në tabelën e renditjes, gjithsesi të vetmen fitore skuadra shkodrane e ka siguruar jashtë fushe ndaj Lushnjës, në javën hapëse, pasi në stadiumin ‘Loro Boriçi’, kuqeblutë nuk marrin 3 pikë të plota që nga 12 marsi, kur një 11-metërsh i shndërruar në gol nga Elis Bakaj mjaftonte për të triumfuar ndaj Laçit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Pavarësisht fitores së vuajtur në Durrës dhe 3 pikëve ndaj Luftëtarit edhe Partizani ka problemet e veta, sepse përvec dyshes që dihet prej kohësh Edgar Cani – Arbnor Fejzullahu, do të mungojë gjithashtu edhe sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj, që ka shënuar gjysmën e golave të këtij ekipi, ndërsa Gëzim Krasniqi nuk do të jetë për shkak të kartonit të kuq të marrë në Tiranë, ndaj skuadrës gjirokastrite, ndërkaq lajmi i mirë vjen nga reparti i tërhequr, pasi portieri Alban Hoxha dhe mbrojtësi Renato Malota u stërvitën bashkë me grupin tjetër të lojtarëve.

Kurioz është fakti që në Shkodër tre përballjet e fundit ndërmjet tyre kanë prodhuar rezultatin 1-1, sidoqoftë në orën 14:00, në stadiumin ‘Loro Boriçi’ pritet që kjo klasike e futbollit shqiptar të afrojë shumë spektatorë, për më tepër nga klubi i kuq mësohet se do të jenë afërsisht rreth 500 tifozë të Partizanit që do të udhëtojnë drejt Shkodrës për të ndjekur këtë takim.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?