Zbulohet lista e gjyqtarëve që mund të arbitrojnë në finalen e Championsit
Pas skandalit të fundit të arbitrave, që ka përfunduar me Real Madridin dhe Liverpul në finalen e Ligës së Kampionëve, të gjithë sytë janë të fokusuar në emërimin e arbitrit që do të bëjë drejtësi në Kiev. Vendimi duket se është marrë praktikisht dhe do të shpallet në ditët në vijim.
Pierluigji Kolina, ka studiuar të gjitha ndeshjet e kompeticionit nëpërmjet informatorëve të tij dhe është e qartë se ka pasur polemika të ndryshme, veçanërisht në fazën përfundimtare të konkurrimit. Gjyqtarët ndërkombëtarë në nivelin më të lartë, ata që zakonisht quhen “për Champions”, kanë të drejtë të zgjidhen, me përjashtim të atyre nga Spanja dhe Anglia, prej nga vijnë dy finalistët e këtij edicioni. Për të tilla sfida, UEFA zakonisht zgjedh arbitrat e saj më me përvojë dhe që kanë bërë më pak gabime gjatë kompeticionit.
Shumica e tyre, gjithashtu, do të caktohen për të gjykuar në ndeshjet e Kupës së Botës në Rusi, kësaj vere. Në listën paraprake të UEFA-s për finalen e Kievit janë: holandezi Bjorn Kuipers, slloveni Damir Skomina, gjermani Feliks Bryzh, suedezi Jonas Erikson, francezi Klement Turpin dhe turku Çunei Çakir.
Ky i fundit ka shkaktuar polemika të mëdha me gjykimin në gjysmëfinalen e kthimit, Real Madrid-Bajern, për shkak se nuk akordoi një penallti të qartë në favor të bavarezve, kur Marselo preku topin me dorë. Edhe slloveni Skomina bëri gabime në gjysmëfinalen e kthimit mes Romës dhe Liverpul. Do të jetë e vështirë që Skomina dhe Çakir të arbitrojnë finalen, por Kolina i ka në listën e kandidatëve të mundshëm.
KOHA JONË SONDAZH

