Zidane flet para super duelit ndaj PSG-së: Nuk kemi asgjë për të provuar!
Zinedine Zidane ka folur për mediat në “Valdebebas”, në pritje të ndeshjes që “galaktikët” do të zhvillojnë ndaj PSG. Trajneri francez analizoi situatën aktuale të ekipit, foli për të ardhmen e tij dhe tregoi disa nga sekretet për të triumfuar ndaj skuadrës së Unai Emeri.
“Ky raund eliminator është 180 minuta, ose më shumë, por gjëja e parë është që të përqendrohemi në atë që na pret nesër. Dhe asgjë më shumë. Nuk do të ndryshojmë atë që njerëzit mendojnë për ne. Unë përpiqem të punoj me atë që më pëlqen shumë, sepse është pasioni im. Unë përpiqem të përcjell shumë gjëra, nuk kam për të provuar asgjë. Jam i interesuar të luajmë një lojë të mirë dhe jo gjithçka që mund të thuhet për mua, ose për ekipin. Kundër PSG-së, është e vërtetë se, duke qenë nga Marseja, mund të ketë një rivalitet historik, por tani luan Real Madridi kundër PSG-së. Mendoj se do të jetë një lojë e madhe kundër një kundërshtari shumë të vështirë, që do të na vërë në vështirësi.
Çfarë ndjesie keni para kësaj ndeshjeje? Jam shumë i lumtur që mund ta luaj këtë lloj ndeshjeje. Tani për tani nuk ka presion të veçantë. Ne e kemi përgatitur javën tonë si gjithmonë. Është e vërtetë se gjithmonë do të ketë presion, por kjo është diçka e zakonshme. Do të kënaqem, siç e kam thënë, gjithmonë.
E ardhmja? Nuk mendoj për të ardhmen time, mendoj për lojën dhe kjo është ajo për të cilën përqendrohem. Pjesën tjetër nuk mund ta kontrollojmë. Ajo që më intereson është se të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, e ardhmja ime nuk ka rëndësi për mua. Nuk është një finale për mua, është një ndeshje e Ligës së Kampionëve. Ajo që duhet të bëjmë është të luajmë mirë. Nëse e bëjmë këtë, kemi shumë mundësi. Pjesa tjetër, nuk mendoj se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Shanset do të jenë 50% me 50%, si gjithmonë. Çdo ekip ka shanset e tij për t’u kualifikuar. Çdokush mund të thotë çfarë mendon, por për mua është 50%.
Nejmar dhe Ronaldo? Ata janë dy lojtarë të mëdhenj, por nesër luan Real Madrid-PSG, jo Nejmar kundër Ronaldos. Kristiano ka arritur gjëra të jashtëzakonshme, pesë “Topa të Artë”. Unë nuk do t’i krahasoj ato tani. Ajo që them për Nejmar është se çdo gjë që bën tashmë e dimë. Ai është një lojtar, i cili ka shumë cilësi, mund të bëjë ndryshimin. Ajo që duam të shohim nuk është një duel mes tyre, por mes dy ekipeve.
KOHA JONË SONDAZH

