Home Aktualitet Takimi me Bli...

Takimi me Blinken, 3 këshillat e Ramës për Kurtin

89
0

Gjatë konferencës për shtyp me Blinken, kryeministri Edi Rama ka pasur disa këshilla drejtuar Kosovës. Kreu i qeverisë tha se është në interesin e Kosovës që të përparojë unilateralisht nëse është nevoja në realizimin e të gjitha kërkesave që janë në tryezën e dialogut. Po ashtu, ai bëri thirrje që Prishtina zyrtare të mos bëjë asnjë hap të pakonsultuar apo të pakoordinuar me aleatët strategjikë. Në fund theksoi se nuk fitohet e ardhmja duke e kthyer politikën e jashtme në një instrument të politikës së brendshme për shkak të këtyre veprimeve.

Pjesa e plotë për Kosovën

Siç dihet Shqipëria ka një politikë të dorës së shtrirë të miqësisë për të gjitha vendet e rajonit. Ne jemi investuar dhe do të investohemi me vendosmëri që rajoni si i tërë të shkojë përpara se në radhë të parë është në interesin tonë strategjik, është në interesin e popullit tonë që ta shikojë Bashkimin me Europën si pjesë të pandarë të bashkimit të këtij rajoni rreth vlerash dhe parimesh që mishërojnë dhe qenien tonë në komunitetin e madh të shteteve, të vendeve demokratike dhe sigurisht që e kemi nxitur, e nxisim dhe do vazhdojmë ta nxisim dialogun e pazëvendësueshëm me asgjë tjetër mes Kosovës dhe Serbisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, janë dhe do të mbeten mbështetëse të palëkundura të njohjes përfundimtare të Kosovës dhe të përmbushjes së subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe është mirë që asnjëherë shqiptarët kudo ku janë, duke filluar nga shqiptarët në Kosovë të mos të harrojnë se pa Shtetet e Bashkuara nuk do të kishte një shtet të pavarur të Kosovës dhe se interesi i Shteteve të Bashkuara në këtë rajon dhe specifikisht interesi i Shteteve të Bashkuara për mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri dhe në Kosovë nuk është një interes i dorës së dytë, nuk është as një interes i ndarë në çfarëdo aspekti nga interesi ynë në Shqipëri dhe Kosovë për të ndërtuar një të ardhme në paqe dhe në prosperitet për gjeneratat e tjera.

E pa diskutim që ne ndihemi të keqardhur sa herë që shohim hapa mbrapa dhe pa diskutim që ne jemi të vetëdijshëm për vështirësinë e këtij dialogu. Pa diskutim, ne jemi të vetëdijshëm për dhimbjen e plagëve të një tragjedie jo shumë të largët për ata që sot jetojnë në Kosovë, padyshim jemi të vetëdijshëm edhe për faktin që në momente të caktuara, siç ishte rasti i sulmit terrorist në Banjskë, Serbia nuk është se e ndihmon gjithmonë siç duhet procesin por ama, në radhë të parë shqiptarët e Kosovës dhe pastaj të gjithë ne së bashku, duhet të jemi të vetëdijshëm se është në interesin tonë.

Është në interesin e Kosovës që të përparojë unilateralisht nëse është nevoja në realizimin e të gjitha atyre kërkesave që janë në tryezën e dialogut, të cilat nuk janë kërkesa shtrënguese, nuk janë as kërkesa që Kosova të lëshojë 1 milimetër nga dinjiteti, sovraniteti dhe ardhmëria e vet.

Janë kërkesa që bëjnë të mundur përmes realizimit të tyre krijimin e një konteksti që e ngre lart Republikën e Kosovës, si një republikë që meriton të gjithë mbështetjen, të gjithë respektin, të gjithë besimin e aleatëve dhe partnerëve tanë strategjikë, pa të cilët e ardhmja bëhet shumë më e largët dhe e tashmja bëhet shumë më e ndërlikuar.

Prandaj, edhe sot, pasi kemi diskutuar, unë dua ta përsëris apelin tim, apelin tonë për autoritetet e Prishtinës që të mos bëjnë asnjë hap të pa konsultuar dhe të pa koordinuar me aleatët tanë strategjikë sepse është në radhë të parë, në interesin e tyre dhe patjetër pastaj është në interesin e aleancës sonë. Nga veprimet e pa konsultuara dhe të pa koordinuara mbase mund të fitohen disa vota sot për sot, duke e kthyer politikën e jashtme në një instrument të politikës së brendshme, por nuk fitohet e ardhmja.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit